image Si e zbuloi policia që 29-vjeçari në Ferizaj po bashkëjeton me një të mitur

Siguri

Si e zbuloi policia që 29-vjeçari në Ferizaj po bashkëjeton me një të mitur

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për një person i cili ishte shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Bashkëjetesë jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare”.

Pse shkuan në stacion policor 29-vjeçari dhe e mitura?

29-vjeçari me inicialet A.L., bashkë me të fejuarën e tij, nën moshën 16-vjeçare, me të cilën po bashkëjetonte, kanë tentuar që të inskenojnë një rast në polici.

Të shtunën, rreth orës 02:30 pas mesnatës, ata të dy ishin paraqitur në stacion policor, për të denoncuar një grabitje.

Ata u kishin thënë hetuesve policorë se disa persona të panjohur ia kishin grabitur të miturës një varëse të arit nga qafa, në një rrugë të qytetit dhe ishin larguar nga aty me një automjet me targa të Shqipërisë.

Mirëpo, pas sigurimit të provave, policia ka arritur që të sigurojë dëshmi të mjaftueshme që ky rast është “Lajmërim i rrejshëm”, që është inskenuar nga ata të dy.

“Gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit policorë , kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale dhe deklarative, që nuk kishte ndodhur grabitja, siç edhe e kishin raportuar, por që pas intervistimit nga policia , në prani edhe të avokatit mbrojtës, të dytë kanë pranuar në tërësi, se ishte një inskenim, pasi kishin një mosmarrëveshje në familje. Në lidhje me këtë, është iniciuar rasti ‘’Lajmërim i rrejshëm’’’, thuhet në raportin e policisë.

Si e zbuloi policia që 29-vjeçari bashkëjetonte me një të mitur?

Gjatë hetimeve në këtë proces, policia e kishte kuptuar se vajza e cila e shoqëronte 29-vjeçarin ishte e mitur dhe se bashkëjetonte me të, ndonëse nuk kishin të lidhur martesë.

Kështu, policia ka iniciuar edhe një rast tjetër ndaj 29-vjeçarit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Bashkëjetesë jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçar’’.

Ndërkaq, e mitura me inicialet R.Sh, është kthyer në familjen e saj./Gazeta Sinjali/