image Si dështoi Gjermania në menaxhimin e pandemisë?

Evropë

Si dështoi Gjermania në menaxhimin e pandemisë?

news image

Pranverën e kaluar, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit, Gjermania është marrë si vend model për trajtimin e krizës. Ajo ka pasur shifra shumë më të ulëta të të infektuarve dhe viktimave, në krahasim me shumicën e vendeve në botë.

Në valën e dytë që ka nisur pas verës së vitit të kaluar, situata ka ndryshuar dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në një rast se ajo “është jashtë kontrollit”.

Profesori Hajo Zeeb, nga Instituti gjerman Leibniz për Kërkime Parandaluese dhe Epidemiologji, numëron disa arsye për këtë – një prej tyre: hezitimi ndaj masave.

“Nuk e kemi kuptuar se vala e dytë ishte vërtet afër”, thotë Zeeb për Radion Evropa e Lirë.

Ai kritikon fushatën e ngadalshme të vaksinimit si në Gjermani, ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës.

Për vaksinën e diskutueshme AstraZeneca, thotë se nuk mund të këshillojë kundër përdorimit të saj.

“Është një situatë komplekse. Në fillim kemi bërë shumë teste. Kemi pasur vatra të lokalizuara që kanë mundur të kontrollohen më lehtë. Kemi pasur sistem funksional shëndetësor dhe i tillë vazhdon të jetë. Aty-këtu është i mbingarkuar, por kurrë nuk ka ndodhur që njerëzit të mos trajtohen. Por, pas verës së vitit të kaluar, e kemi marrë situatën si shumë të lehtë. Njerëzit kanë qenë më hezitues ndaj masave, ashtu si edhe politikanët. Nuk e kemi kuptuar se vala e dytë ishte vërtet afër”, u shpreh ai.

Ai tha se në Gjermani, situata është ende e pavendosur.

“Merret një vendim politik, pastaj mbi të merret tjetri… Nuk është situatë e qartë. Shifrat e të infektuarve janë rritur dhe vazhdojnë të rriten. Përfundimisht nuk kemi kontroll. Edhe pse shumë vende janë të izoluara, kjo nuk është e mjaftueshme për të kontrolluar një koronavirus me mutacione. Tani po bëhen diskutime për ashpërsimin e izolimeve”, u shpreh ai.

Ai shtoi se është e qartë se numri i të vaksinuarve po rritet, por nëse do të mund të vaksinojnë 10 milionë njerëz deri në fund të muajit… është pak sfiduese.

Pritet të ketë disa miliona vaksinime në javët e ardhshme, por nëse do të arrijmë 20-përqindshin nuk jam i sigurt, por do t’i shkojmë afër”, tha ai.

Hajo Zeeb foli edhe për vaksinën e AstraZeneca.

Vaksina AstraZeneca do të thosha se është një vaksinë e mirë. Ajo ka disa probleme me efektet anësore, për të cilat nuk jemi ende të sigurt. Madje, edhe Mbretëria e Bashkuar tani thotë se ato duhet të shihen me kujdes. Por, ne këtu në Gjermani kemi analizuar ekuilibrin e ekuacionit. Nëse shtyni vaksinimin duke mos përdorur AstraZenecan, ju humbni shumë njerëz që i ekspozohen koronavirusit. AstraZeneca duket se shkakton mpiksje gjaku sidomos te disa gra të moshës së mesme. Është një efekt i rrallë anësor dhe fatkeqësisht fatal në disa raste”, u shpreh ai. /Gazeta Sinjali/