Rreth 260 tërmete e kanë prekur Shqipërinë sot, ku u shënua edhe tërmeti më i fortë me magnitudë 6,4 i shkallës Rihter. Si pasojë e këtyre tërmeteve shumë ndërtesa dhe shtëpi janë rrënuar duke lënë të vdekur 21 persona deri më tani dhe të lënduar mbi 600 persona. Vendet e prekura nga tërmeti janë pa energji elektrike.
Numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë të detyruar që natën ta kalojnë në ambient të hapur, si pasojë e shkatërrimit të shtëpibve të tyre dhe nga frika e përsëritjes së tërmetit.
Shumë prej tyre tashmë janë vendosur në stadiumin “Niko Dovano” përkundër motit të freskët që po mbretëron.
Përveç në stadiume, personat që janë vendosur në tenda nëpër fusha nuk kanë rrymë por vetëm dritë artificiale, shkruan Gazeta Sinjali.
Sa i përket strehimit të personave të pastrehë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale.
“T’i kalojnë edhe festat e fund vitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”, ka thënë Rama.
Në ndihmë shtetit shqiptar i ka dalë edhe Kosova duke dërguar njësite të policisë dhe ushtrisë poashtu një ndihmë fillestare prej 500 mijë eurove.
Në ndihmë shtetit shqiptarë i kanë dal edhe vendet fqinje, poashtu edhe Gjermania, Franca, SHBA-të.
Sizmologu Edmond Dushi ka shpjeguar se rreziku mbetet i lartë veçanërisht në zonat bregdetare, ndërsa shton se do të ketë lëkundje të vazhdueshme, duke mos përjashtuar mundësinë që ato të prekin edhe zonat e tjera të vendit, shkruan Gazeta Sinjali. /Gazeta Sinjali/