image Shumë kosovarë kërkojnë shërim jashtë vendit, për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në QKUK

Kosovë

Shëndetësi/ Shumë kosovarë kërkojnë shërim jashtë vendit, për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në QKUK

news image

Mungesa e ofrimit të disa shërbimeve mjekësore brenda institucioneve publike shëndetësore në Kosovë, ka bërë që një numër i madh i pacientëve, ato shërbime t’i marrin jashtë vendit fal programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, duke bërë kështu që dhjetëra miliona euro të shpenzohen jashtë vendit.

Numri i atyre që kanë përfituar përkrahje financiare për t’u trajtuar jashtë vendit për vitin 2019 është 1436 pacientë, kurse vetëm në këtë fillim të vitit, financim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës, kanë kërkuar 152 persona.

Janë edhe mijëra qytetarë që trajtimet e tyre jashtë vendi i kanë mbuluar me vetëfinancim.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, i cili tha se kryesisht këto trajtime mjekësore po kryhen në Turqi, Maqedoni, Shqipëri dhe Gjermani.

Plakiqi ka thënë se në këtë fillim të vitit, pacientët me kancer dhe sëmundje të syve prijnë për kërkesat për trajtim jashtë vendit.

 “Prapë prijnë sëmundjet malinje, tomoret që janë numër 62 për t’u përcjell nga sëmundja e syve oftalmos për shkak se ende janë duke pranuar edhe mallra dhe pajisje që me e fut në funksion të plotë të gjitha shërbime që i krye në oftalmologji. Kemi pjesën e lëndimeve dhe helmimeve me raste të rënda që janë gjithsej 11. Ndërsa si numër deri në këtë moment që po flasim është 152 raste”, tha Plakiqi.

Derisa flet për numrin e madh të pacientëve që përfituan nga programi për trajtim shëndetësor jashtë institucioneve publike, Plakiqi tregon se për shkak të investimeve në Klinikën e Kardiologjisë kanë rënë dukshëm kërkesat e pacientëve me sëmundje të zemrës dhe se numri i përfituesve për shërim jashtë vendit ka qenë më shumë se një mijë pacientë.

“Ne në vitin 2019 gjithsej kemi pasur 1436 raste që janë aprovuar, pak raste që janë refuzuar ka pasur për shembull që kanë qenë në shpërputhje me udhëzimin administrativ, ose ka pasur raste kur është refuzuar nga komisioni mjekësor ose nga bordi i trajtimeve”, ka thënë Plakiqi.

Numri më i madh i pacientëve që në vitin 2019, kërkuan financim për trajtim jashtë vendit janë ata të Klinikës së Oftalmologjisë.

Vlen të theksohet që ne kemi një trend rënës në raste që vijnë aplikojnë tek ne veçanërisht në ato klinika që veç ka filluar ofrimi i shërbimit në QKUK. Rasti konkret është në Kardiologji, nëse e marrim një krahasim e shohim që në vitin 2017 sa raste ka pasur të referuara nga Kardiologjia e shohim rezultatin e këtij shërbimi në QKUK. Në vitin 2017 kemi gjithsej 464 që janë referuar me mendime konsul are në Fond, ndërsa në vitin 2019 janë gjithsej 45 raste”, theksoi drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Kjo sipas drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, ka ndodhur për shkak të mungesës së aparaturës dhe mos përfshirjes së disa barnave në listës esencial.

Ai madje thotë se 6 milionë euro sa është buxheti i ndarë për programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës është në shpërputhje me kërkesat e pacientëve.

Ndërsa nga zyra për informim në SHSKUK, për kp thonë se referimet jashtë vendit bëhen kryesisht për sëmundjet të cilat nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së.

Kjo zyre bënë të ditur se kryesisht rastet e transplanteve, leukemive akute janë ato që referohen për shërim jashtë institucioneve publike./Gazeta Sinjali/