Mbi 300 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës brenda një viti, duke konsumuar rreth tre mijë tonë duhan. Ndërkohë, ata shprehen të pakënaqur me punën e autoriteteve përgjegjës për zbatimin e ligjit kundër konsumimit të duhanit në vendet publike.
97% e sasisë së duhanit që futet në vendin tonë, është i paketuar dhe gati për konsum, derisa importi i fletëve të duhanit është i vogël.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili thotë se brenda 10 viteve të fundit në shtetin tonë, mesatarja vjetore e importit të duhanit arrin rreth 300 mijë tonë.
“Realisht importi i duhanit në Kosovë brenda një viti shkon rreth 3000 mijë ton, ka vite kur e kemi 2700 apo 2800, mirëpo një mesatare vjetore në 10 vitet e fundit është rreth 3000 mijë ton. Në vitin 2019 i kemi pasur rreth 2800 ton. Në vitin 2020 ndoshta edhe për shkak të pandemisë ka qenë i vetmi produkte nuk është afektuar as në import, as në vlera të importit, kjo i bie në sasinë e njëjte, faktikisht deri tash janë importuar deri në 700 ton”, thotë ai.
Derisa flet për importin e duhanit, ai thotë se ka shumë pak import të fletave të duhanit.
“Duhani që futët në Kosovë 97% futet i paketuar për konsum të menjëhershëm, derisa kemi shumë pak import të fletave të duhanit, kryesisht kemi edhe një problem me atë që ka edhe kontrabandim të fletave të duhanit por në nivele minimale, jorelevante në aspektin financiar”, deklaroi ai.
Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), ka realizuar një hulumtim për nivelin e ekspozimit ndaj tymit të duhanit dhe qëndrimet e qytetarëve lidhur me politikat e kontrollit të duhanit në Kosovë, ku vërtetohet se ekspozimi i qytetarëve ndaj tymit të duhanit është shumë i madh (81.4%) në bare, kafene dhe restorante. Derisa në vendin e punës ekspozimi ndaj tymit të duhanit është më i ulët (27%) dhe në shtëpi mbi 30%.
Rezultatet e hulumtimit kanë treguar një nivel të lartë të përkrahjes së popullatës për masat e kontrollit të duhanit, ku 84.7% e tyre janë shprehur në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në bare, kafene dhe restorante dhe 98.5% në favor të ndalimit të pirjes së duhanit në institucionet publike.
Menaxheri i organizatës KADC, Arben Lila, thotë për KosovaPress, se 37.7% e popullsisë në vendin tonë, konsumojnë duhan, derisa theksoi se mbi 80% e qytetarëve, janë kundër pijes së duhanit në vendin e punës.
“37.7 % e popullatës e pinë duhanin, prej tyre mbi 45% meshkuj, kurse femra rreth 30%…Mbi 80% e qytetarëve janë në favor të politikave të kontrollit të duhanit, domethënë janë kundër ekspozimit ndaj tymit të duhanit. Po ashtu, janë në favor të ndalimit të pijes së duhanit në vendin e punës, në institucionet publike. Pas kësaj ne kemi dashur të shohim se sa janë të kënaqur qytetarët me punën e autoriteteve përgjegjëse dhe ka dalë që qytetarët e Kosovës janë shumë të pakënaqur me punën e tyre, 4.2% janë të kënaqur, mbi 90% të pa kënaqur me punën e tyre”, thotë Lila.
Ndër të tjera ai thotë se organizata e tyre së bashku me MSH-në, kanë hartuar drafte udhëzimin, i cili rregullon çështjen e vërejtjeve shëndetësore me fotografi, mirëpo siç thotë ai ky udhëzim po qëndron i mbyllur në sirtarët e ministrive.
“Për kundër që ligji për kontrollin e duhanit prej vitit 2016 thotë që në pakot e duhanit duhet të jenë fotografit ilustruese, ne organizata jonë në bashkëpunim me MSh-në, kemi hartuar një drafte udhëzim, i cili mandaton dhe rregullon çështjen e vërejtjeve shëndetësore me fotografi. Mirëpo ky udhëzim administrativ ka qëndruar i mbyllur në sirtarët e Ministrave, asnjëri prej tyre nuk e ka nënshkruar, për shkak të ndikimit të madh të industrisë së duhanit në instancat më të mëdha politike”, deklaroi ai.
Me këtë hulumtim, Lila thotë se pretendojnë të ndikojnë te qeveria dhe autoritetet përgjegjëse për zbatimin e ligjit.
“Gjetjet e këtij hulumtimi duhet të shërbejnë qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e ligjit, sepse në këtë hulumtim shihet që përkrahja e qytetarëve për zbatimin e ligjit është shumë e madhe dhe janë të pakënaqur me punën e autoriteteve përgjegjëse dhe janë në favor të ndalimit të pijes së duhanit në vende publike”, thotë Lila.
Brenda 5 mujorin e fundit, në Kosovë kanë hyrë rreth 700 ton duhan. /Gazeta Sinjali/