Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, fillimi i vitit shkollor 2021/22 është shtyrë deri më 26 shtator. Nëse nxënësit do të rikthehen në shkolla ose jo, varet nga rekomandimet që Ministria e Arsimit merr nga IKShPK, shkruan Gazeta Sinjali.
Por sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, viti i ri shkollor mund të fillojë më 27 shtator me prezencë fizike, pasi 90 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar.
Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali koordinatori për organizim të brendshëm në SBAShK, Ymer Ymeri.
“90.5% e mësimdhënësve janë vaksinuar. Ata që nuk e kanë marrë vaksinën janë gra shtatzëna ose persona me sëmundje kronike, të cilët edhe ashtu janë të liruar me vendim të qeverisë”, ka thënë ai.
Ymeri paralajmëroi se nëse shtyhet mësimi prapë, do të shkaktohen probleme në mbarëvajtjen e vitit shkollor.
“Mendojmë që nuk ka arsye që mësimi të shtyhet pas datës 27 shtator sepse nuk është vetëm një variant i mbajtjes së mësimit, është edhe ai online. Shtyrja e mësimit paraqet probleme me mbarëvajtjen e vitit shkollor”, ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë që SBAShK-u është për mësim në shkolla duke i respektuar masat e vendosura nga Qeveria, mirëpo në rast se IKShPK vlerëson që për shkak të COVID-19 mësimi do të zhvillohet online, SBAShK-u do ta përkrah.
“SBAShK-u është për mësim në shkolla duke i respektuar të gjitha masat e vendosura nga Qeveria. Nëse IKShPK vlerëson që për shkak të COVID-19 të vazhdohet më mësim online, ne do ta përkrahim mësimin online. Mirëpo ne jemi për mësim me prani fizike. Mësimi online po paraqet probleme për mësimdhënësit dhe nxënësit, sepse po krijohet tollovi.”
Sipas tij, zëvendësimi i orëve për këto katër javë të humbura do të jetë i vështirë për nxënësit pasi do të mbingarkohen.
“Vetëm për këto katër javë që është shtyrë mësimi do të jetë e vështirë që të zëvendësohen orët. Vështirësitë do të jenë për nxënësit sepse do të jetë ngarkesë për ta, sepse për mësimdhënësit nuk është problem”, tha Ymeri.
Për shtyrjen e mësimit deri më 27 shtator kishte njoftuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
“Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve u dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor”, kishte shkruar ajo./GazetaSinjali/