image Shtyhet rigjykimi ndaj tropojanit që vrau burrin e hallës në Gjakovë

Drejtësi

Shtyhet rigjykimi ndaj tropojanit që vrau burrin e hallës në Gjakovë

news image

Sot ishte e paraparë të mbahej rigjykimi ndaj Col Imerajt, që akuzohet për vrasjen e N.M, për tentim vrasje të djalit të viktimës dhe shkaktim të lëndimeve të lehta trupore ndaj kushërirës së tij, D.M, ngjarje kjo e ndodhur në muajin korrik të vitit 2020.

Gjykatësi Drilon Haraçia bëri të ditur se me mbrojtësin e të akuzuarit Imeraj, avokatin Meriman Vehapi nuk kanë mundur që të kontaktojnë deri ditën e djeshme dhe se kur kanë kontaktuar me të, i njëjti ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër, pasi që nuk mund të paraqitet në seancë.

Sipas këtyre rrethanave, gjykatësi Haraçia i ka njoftuar të gjitha palët tjera për anulimin e kësaj seance, derisa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 19 tetor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjell Gazeta Sinjali.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Col Imerajt, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës me 27 vite burgim unik në maj të këtij viti.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli ka gjetur se pranimi i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit Imeraj nuk është bërë vullnetarisht, por është bërë pas këshillimit të pamjaftueshëm me mbrojtësin e tij.

Tutje sipas Apelit, nga procesverbali i seancës fillestare rezulton se i akuzuari Imeraj nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit.

Nga procesverbali i seancës së shqyrtimit fillestar i datës 16.04.2021, shihet se mbrojtësi i të akuzuarit e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë dhe se i akuzuari i ka përkrahur fjalët e mbrojtësit, e nga kjo rezulton se i akuzuari në pajtim të pikës 1.1 të nenit 248 të KPPRK-së nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë. Përkatësisht i akuzuari gjatë deklarimit të tij e ka pranuar fajësinë, ndërsa kur pranimin e fajësisë e ka kundërshtuar mbrojtësi i tij, i akuzuari ka deklaruar se i përkrah fjalët e mbrojtësit të tij, e që kjo paraqet konktradiktë.”, thuhet në arsyetim të aktvendimit.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 21 maj të këtij viti, e ka dënuar me 27 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, është dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

Më pas, ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Mirëpo, ky aktgjykim i Themelores tashmë është anuluar nga shkalla e dytë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

Imeraj akuzohet edhe për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës D.M. të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /GazetaSinjali/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.