Rritja e çmimit të vajit të palmës në nivel global, ka rritur shpresat për forcimin e industrisë së qumështit në Kosovë.
Ka disa javë që vaji i palmës në tregun global ka shënuar rritje, mes tjerash për shkak të rritjes së çmimit të transportit si dhe për shkak të efekteve të shkaktuara nga pandemia e COVID-19.
Baki Gashi ka një fermë në fshatin Bratatinë në komunën e Rahovecit.
Vazhdimisht ka pasur probleme për ta shitur qumështin për shkak të çmimeve të ulëta. Por ditëve të fundit, thotë se përpunuesit e qumështit po paguajnë deri në 30 cent për një litër qumësht.
“Pas rritjes së çmimit të vajit të palmës, është kërkesa pak më e madhe dhe pak stabiliteti i industrisë së qumështit është duke u rregulluar”, thotë ai.
Në fermën e tij, Bakiu grumbullon rreth 420 litra qumësht në ditë.
Çmimet e ulëta thotë Bakiu, kanë sjellë fermerët në pikën kur mendojnë të vazhdojnë apo jo punën në këtë biznes.
“Ka qenë, për shembull, çmimi i një litre 35-36 cent vitin e kaluar në një periudhë dhe tash të bie çmimi në 24-25 cent, sidomos fermerët e vegjël, ata veç sa janë duke mbijetuar për momentin”, thotë Gashi për REL.
Rritja e çmimit të vajit të palmës, ishte parashikuar vitin e kaluar nga Këshilli i Vendeve Prodhuese të Vajit të Palmës – (CPOPC).
“Drejt gjysmës së dytë të vitit 2021, reshjet e përshtatshme të shiut dhe menaxhimi më i mirë i të korrave të stimuluara nga çmimet aktuale të larta të palmës, do të rrisin ndjeshëm prodhimin”, u tha në raportin që CPOPC-ja publikoi më 2 dhjetor 2020.
Sipas kësaj organizate, ndikim në rritjen e çmimit ka pasur edhe pandemia e COVID-19, pasi prej më shumë se një viti, në shumë vende evropiane gastronomia nuk ka punuar rregullisht.
Kryetari i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj thotë se rritja e çmimit të vajit të palmës ka ndikuar që të rritet kërkesa e përpunueseve për qumësht të fermave vendore.
“Arsyeja pse [rritja e çmimit të vajit të palmës] ka ndikuar shumë mirë në industrinë e qumështit, është fakti se diku 70 për qind të tregut në Kosovë ku tregtohen produktet e qumështit në rrjetet e maketeve në Kosovë, do të thotë dominohet nga produktet me vaj të palmës. Kjo e ka ngulfatur prodhimtarinë vendore”, thotë Memaj.
Vaji i palmës në Kosovë është shumë i përdorur në industrinë e përpunimit të produkteve të qumështit.
Ky lloj vaji përdoret për të prodhuar shumicën e produkteve ushqimore duke përfshirë djathërat, kaçkavallin, gjalpën, kosin si dhe produkte të tjera.
Shtrenjtimi i vajit të palmës në nivel global, sipas kryetarit të Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj, ka pasur ndikim pozitiv edhe në zbrazjen e stoqeve në fabrikat e përpunimit.
“Tani me ngritjen e çmimit të vajit të palmës, faktikisht neve na është hapur mundësia që të shesim dhe grumbullojmë gjithë sasinë e qumështit. Vetëm tani kemi arritur që përpunuesit vendorë t’i zbrazin stoqet, duke iu falënderuar ngritjes së çmimit të vajit të palmës”, thotë Memaj.
Naser Morina udhëheq një pikë grumbulluese të qumështit në Rahovec.
Brenda ditës ai grumbullon rreth 20 mijë litra qumësht nga fermerët e këtij rajoni.
Morina thotë se Qeveria e Kosovës duhet të punojë në drejtim të vendosjes së një çmimi referent për një litër qumësht si dhe përkrahjen e prodhimeve vendore, të cilat nuk përmbajnë vaj palme.
“Besoj se çmimi referent e kishte ndihmuar këtë sektor, por është dashur të merren masa mbrojtëse për fermerët vendorë, për prodhuesit vendorë. Të ndalohen këto produkte të jashtëligjshme që nuk kanë bazë edhe ligjore për shtije”, tha Morina.
Në shtator të vitit 2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ndaloi përkohësisht importimin e vajit të palmës, djathit si dhe produkteve të ngjashme me yndyrë bimore.
Sipas vendimit të ministrisë, mekanizmat inspektues obligoheshin që t’i obligojnë operatorët ekonomikë që të ndajnë produktet e qumështit me vaj palme prej atyre me origjinë shtazore, nëpër pikat shitëse në tregun e Kosovës.
Në një raport të vitit 2016, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), kishte konstatuar se është i dëmshëm për shëndetin e njeriut përdorimi i vajit të palmës në prodhime ushqimore.
Viteve të fundit, fermerët kosovarë kanë protestuar disa herë në Prishtinë duke derdhur mijëra litra qumësht në shesh.
Ata kanë kritikuar vazhdimisht institucionet se nuk po subvencionojnë këtë sektor dhe se nuk kanë krijuar një strategji të mirëfilltë për mbështetjen e produkteve vendore të qumështit. /Gazeta Sinjali/