image Shtrenjtimi i sigurimit të veturave, organizatorëve u janë ofruar para të majme për ta shuar protestën

Kosovë

Protestë/ Shtrenjtimi i sigurimit të veturave, organizatorëve u janë ofruar para të majme për ta shuar protestën

news image

“Spedoomaniaks”, i cili është njëri prej grupeve që do ta organizojnë protestën kundër vendimit të BQK-së për shtrenjtimin e sigurimeve të veturave që parashihet të mbahet të shtunën kanë thënë se u janë ofruar shuma të mëdha parash vetëm për ta anuluar këtë protestë.

Një anëtar i këtij grupi për Gazetën Sinjali ka thënë se një person iu është paraqitur grupit “Spedoomaniaks” si ndihmës për protestë dhe ka kërkuar që të takohet me organizatorët e protestës, ndërsa në bisedë e sipër ai ua ka ofruar 5 mijë euro kinse si sponsor për të organizuar mitingje më të mëdha.

“Një djalë u prezantua që po donë me na ndihmua në protestë ka lyp takim për me i sqarua sendet edhe me na ofru përkrahje. Ne si grup funksionojmë me vetë financim nuk marrim pare nga anëtaret, ose nuk shesim aksesorë të grupit për përfitime, krejt këtë punë e bëjmë për qejf. Ai tipi gjatë bisedës na ka sugjeru që duhet me fillu me mendu më larg, me marr sponzor, me bashkëpunu me njerëz, edhe në një moment tha që noshta ka njerëz që ju japin edhe 5 mijë euro për me bo ju meetingat më të mëdhenj”, ka thënë një anëtar i grupit “Spedoomaniaks” për Gazetën Sinjali.

Sipas anëtarit të këtij grupi, personi i cili ishte paraqitur si bashkepunëtor në protestë ishte punëtor i njërës prej kompanive të sigurimeve.

“Në fund të bisedës tregoi që punon me një kompani të sigurimeve “, ka thënë ai.

Kujtojmë se ditë më parë ky grup në rrejtin social Facebook ka apeluar që të dalin masivisht të shtunën në protestë.

“Ju bëjmë apel të gjithë personave, grupacioneve, bizneseve që sa më masivisht të dalim të shtunën me datën 23 nëntor në ora 16:00 para objektit të BQK. Protesta është organizuar nga grupi Speedomaniaks, dhe janë të ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Tutje kanë thënë se në Francë për 2 centë që janë shtrajtuar derivatet qytetarët janë organizu me e largu këtë vendim, ndërsa sigurimi i veturave është rritur për afro 35 euro.

“Në Francë derivatet janë rritur për 2 cent më shumë, të gjithë qytetarët janë organizuar që ta heqin atë vendim, kurse në shtetin tonë çmimet e sigurimeve janë rritur edhe me qindra euro.

Neve na takon të mos rrijmë duarkryq, përballë kësaj padrejtësie”, thuhet në postimin e tyre.

Përveq paralajmërimit të protestës nga grupi “Speedomaniaks” për të shtunën, më 23 nëntor, edhe grupi i njohur në Facebook Marakli t’kerreve” kanë ftuar publikisht për protestë paqësore dhe pa kerre te rruga “Luan Haradinaj”, pranë BQK-së, më 22 nëntor nga ora 13:00.

“Të gjithë e kemi parasysh që nga data 15 Nëntor ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%. Duke e ditur këtë fakt i cili prek gjepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq”, thuhet në njoftimin e “Maraklive t’kerreve” kanë shkruar ata në Facebook.

Ndërsa dje kundër vendimit të BQK-së për shtrenjtimin prej 35 eurove për sigurimin e veturave ka nisur edhe një peticion online /Gazeta Sinjali/