image Shtrenjtimi i sigurimit të veturave, KMDLNJ bën thirrje për protesta

Reagim/ Shtrenjtimi i sigurimit të veturave, KMDLNJ bën thirrje për protesta

news image

Disa ditë pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e taksës për sigurimin e automjeteve  për 26%, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Sipas KMDLNJ-s Banka Qendrore do të duhej të ishte rregullator i kompanive të sigurimit dhe jo pjesë e zhvatësve aktivë të buxhetit të qytetarëve të Kosovës.

 “Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasin veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën”.

Sipas KMDLNJ-s pikërisht ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë shumë në zvogëlimin e numrit të 100 mijë veturave të pasigurara dhe të paregjistruara.

“Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rris numrin prej 100 mijë automjeteve të pasiguruara dhe të paregjsitruara”, thuhet në reagim.

Mosrenditja e bashkëpunimit midis Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, sipas KMDLNJ-s gjithashtu ndikon në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe e betonon ndarjen thuaja legale në përqindje te tregut të kompanive te sigurimeve që pastaj e kanë lehtë të manipulojnë me tarifa dhe çmimeve, gjithmonë në dëm të interesit të qytetarit të Kosovës si dhe diasporës.

Nga ky organ e bëjnë përgjegjëse BQK-në e cila, siç thuhet në reagimin e tyre  “në vend se të mbrojë intreset e qytetarëve, bashkëpunon ngushtë me Kompanitë e Sigurimeve të cilat punojnë sipas sistemit të kartelit (marrëveshje të fshehta dhe ndarje e tregut në dëm të qytetarit) prandaj kërkon përgjegjësi nga BQK –ë duke e ftuar publikisht Prokurorinë e  Shtetit të bëjë hetime për një vendim krejtësisht jotransparent që e ngarkon buxhetin e qytetarit, edhe ashtu të varfëruar”.

KMDLNj kërkon që Autoriteti i Konkurrencës të jetë më i vendosur në reagim ndaj këtij vendimi të padrejtë dhe diskriminues.

“Qytetarët nuk mjaftojnë vetëm të ankohen në KMDLNj për këtë zhvatje por duhet të kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre përmes demonstratave paqësore siç veprohet në të gjitha vendet demokratike”, thuhet mes tjerash në reagim./Gazeta Sinjali/