Është mbajtur takimi i rregullt i Komitetit për preventimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, i udhëhequr nga nënkryetari Arbër Ismajli.
Pas konfirmimit të 21 rasteve të reja pozitive me COVID-19, nënkyetari Ismajli ka konfirmuar se dihet burimi i infeksionit, e që janë raste të kontaktit.
Ai ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos lëvizin në asnjë mënyrë pa masa mbrojtëse, derisa ka kërkuar që t’i respektojmë masat edhe qytetarët po i bëjnë pushimet në Shqipëri, pasi kohëve të fundit tha se është rritur numri i të infektuarve, të cilët ishin në pushime verore.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Ukshin Ismaili, ka bërë të ditur se edhe dy pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e infeksionit me COVID-19, duke e çuar numrin total të vdekjeve në 9.
Dr. Ukshin Ismaili tha se të shëruar janë 218 raste, rasti aktive janë 133, derisa gjithsej të rezultuar pozitivë deri më sot janë 360 raste.
Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor, major Alban Ramushi, tha se janë identifikuar tre lokale që nuk po i respektojnë masat anti-Covid-19, sikurse që tha se policia ka hasur edhe në persona që nuk po e respektojnë vetizolimin, ndaj të cilëve është ngritur kallzim penal. /Gazeta Sinjali/