image Shtohen me të madhe Shisha Baret në Kosovë, vetëm këtë vit u importuan 3 mijë kg duhan nargjile

Kosovë

Shifrat/ Shtohen me të madhe Shisha Baret në Kosovë, vetëm këtë vit u importuan 3 mijë kg duhan nargjile

news image

Në Kosovë janë duke u zhvilluar dukshëm bizneset e Shisha Bareve. Në to konsumohen produkte të nikotinës, duhan nargjile me avull.

Shisha është produkt që ka nisur të konsumohet shumë edhe nga të rinjtë.

Se konsumimi i duhanit nargjile në Kosovë është rritur, e tregojnë edhe shifrat nga Dogana e Kosovës.

Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar Gazeta Sinjali, vetëm gjatë vitit 2018 në Kosovë janë importuar afro 1 mijë e 600 kilogram llulla të duhanit nargjile, vlera e të cilave sillet rreth 33 mijë e 500 euro.

Gjatë vitit 2019 është dyfishuar importi i duhanit nargjile. Që nga janari i vitit 2019 deri në këtë muaj janë importuar afro 3 mijë kilogram duhan nargjile, shuma e të cilave kalon vlerë e 33 mijë euro.

Se nargjileja është produkt i nikotinës, e thotë edhe kryeinspektori i Sanitarisë, Ibrahim Tërshnjaku.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Tërshnjaku ka thënë se nëse  shisheve iu shtohet doza me produkte të tjera të nikotinës, atëherë inspektorët marrin masa.

“Nargjileja zakonisht është produkt i nikotinës, të cilat janë të ndaluara sipas ligjit nëse iu shtohen produkte tjera të nikotinës”, ka thënë Tërshnjaku.

Tutje kryeinspektori i Sanitarisë ka thënë së lokalet e Shisha Bareve kontrollohen në vazhdimësi sipas ligjit të duhanit dhe nëse inspektorët vërejnë që brenda ambientit të këtyre lokaleve ose në shisha ka produkte të nikotinës, gjobiten.

“Lokalet e Shisha Bareve kontrollohen vazhdimisht sipas ligjit të duhanit. Në qoftë se shihet që konsumohet duhani brenda ambientit të Shisha Bareve – sepse edhe ajo është çështje të cilën inspektorët janë kompenentë në këtë fushë dhe në qoftë se rastisë inspektori në produkte të nikotinës – atëherë do të gjobiten personi juridik, përgjegjës si dhe fizik”, ka thënë Tërshnjaku.

Kryeinspektori ka thënë se lëndët e nikotinës mund të konsumohen në hapësira të hapura.

Ndërkohë që Shisha Baret po përhapen me shpejtësi në vendin tonë, po ashtu po shtohet frekuentimi i tyre si nga moshat e reja ashtu edhe nga të rriturit.

Kujtojmë që Austria ka miratuar një ligj të ri i cili parasheh mbylljen e mbi 500 kompanive të cilat merrën me biznesin e Shisha Bareve. /Gazeta Sinjali/