Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian si Belgjika Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia kanë deklaruar se është e ligjshme që Shtetet Anëtare të BE-së të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të tejkaluar këtë krizë.
“Sidoqoftë, ne jemi thellësisht të shqetësuar për rrezikun e shkeljeve të parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore që rrjedhin nga miratimi i disa masave emergjente”, thuhet në deklaratën e tyre.
Masat emergjente duhet të kufizohen në ato që janë rreptësisht të nevojshme, duhet të jenë me natyrë proporcionale dhe të përkohshme, të jenë subjekt i një kontrolli të rregullt dhe të respektojnë parimet e lartpërmendura dhe detyrimet e ligjit ndërkombëtar.
Po ashtu në deklaratën e tyre thuhet se ata nuk duhet të kufizojnë lirinë e shprehjes ose lirinë e shtypit.
“Ne kemi nevojë që së bashku të kapërcejmë këtë krizë dhe të mbështesim bashkërisht parimet dhe vlerat tona evropiane në këtë rrugë. Prandaj ne mbështesim nismën e Komisionit Evropian për të monitoruar masat emergjente dhe zbatimin e tyre për të siguruar që vlerat themelore të Bashkimit të mbështeten, dhe ftojmë Këshillin e Përgjithshëm të Çështjeve që të marrë çështjen kur është e përshtatshme”, thuhet në deklaratën e tyre./Gazeta Sinjali/