Nga Shtëpia e Bardhë kanë reaguar ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump i cili përmes një letre tha se e ka dërguar ambasadorin e tij për çështjen Kosovë-Serbi, duke iu referuar ardhjes së Richard Grenell në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur reporterja për Shtëpinë e Bardhë në Bloomberg, Jennifer Epstein, përmes një postimi në Twitter.
“Shtëpia e Bardhë i përgjigjet ish-presidentit Trump që dërgoi ‘Ambasadorin e tij të dërguar’ Richard Grenell në kufirin Kosovë – Serbi: Jashtë imagjinatës së tij tejet aktive, Donald Trump nuk është më President dhe nuk ka asnjë ‘ambasadorë të dërguar’ që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar ajo.
Ish-presidenti Trump shkroi për marrëveshjen e normalizimit ekonomik Kosovë – Serbi dhe tha se ajo duhet të vazhdojë të zbatohet.
“Njerëzit e Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekjen e normalizimit ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në rrezik”, deklaroi Trump në letër./GazetaSinjali/