image Shtëpia botuese "Dukagjini" i reagon Nagavcit: Oferta jonë ka qenë për 4% më e lirë sesa në vitin 2022

Arsim

Shtëpia botuese “Dukagjini” i reagon Nagavcit: Oferta jonë ka qenë për 4% më e lirë sesa në vitin 2022

news image

Sot u bë e ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin me libra për nxënësit, anipse mësimi do të fillojë për 10 ditë.

Në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në të kaluarën ka pasur keqpërdorime lidhur me kontratat me shtëpitë botuese. Si rezultat, Nagavci ka bërë të ditur se këtë vit paratë për blerjen e librave do t’u transferohen direkt prindërve në xhirollogari, nëpërmjet platformës E Kosova.

Këtyre deklaratave të Nagavcit i ka reaguar shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila tha se është duke përcjellë me vëmendje diskutimin që është duke u bërë në raport me librat për filloristët.

Nga “Dukagjini” gjithashtu bëjnë të ditur se këtë vit, për dallim nga ai i kaluari kanë ofertuar çmim më lirë se vitin e kaluar.

“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022”, thonë ata.

Po ashtu, në reagimin e tyre u bë e ditur se si shtëpi botuese do të bëjnë maksimumin që t`i përmbushin obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi.

/GazetaSinjali/