image SHSKUK: Të merren masa urgjente ndaj gjinekologut që komunikoi me arrogancë me familjarin e pacientit

Siguri

SHSKUK: Të merren masa urgjente ndaj gjinekologut që komunikoi me arrogancë me familjarin e pacientit

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot me detaje dhe publikoi pamje për incidentin ku u përfshi shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka. Ai u kap me babain e një foshnje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor publik. Lidhur me rastin, Prokuroria njoftoi se po merren veprimet e nevojshme, teksa tashmë është deklaruar edhe SHSKUK-ja.

Në një komunikatë për media, Shërbimi Spitalor ka kërkuar nga Spitali i Vushtrrisë që të merren masa urgjente dhe të trajtohet ky rast.

“Në lidhje me videot që po qarkullojnë në rrjete sociale, ku në komunikim me familjarët e pacientëve është i përfshirë një mjek i Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri, i cili komunikon me arrogancë me palët, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron se ka kërkuar urgjentisht nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, të trajtojë rastin dhe të merren masa urgjente, konform të gjeturave dhe legjislacionit në fuqi.

ShSKUK, në vazhdimësi përmes shkresave dhe Qarkoreve Informative, ka kërkuar nga klinikat dhe spitalet e përgjithshme, që në baza të rregullta, pacientëve që marrin trajtim shëndetësorë, por edhe familjarëve të autorizuar, t’u jepen informata nga mjekët, shefat e reparteve dhe nëse ka nevojë edhe nga drejtorët e klinikave-spitaleve të përgjithshme.”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

/GazetaSinjali/