Lotaria amerikane është ëndrra e përvitshme e shumë qytetarëve. Edhe për 36-vjeçarin Çlirim Tupin, nga fshati Zabzun ishte e tillë derisa u shpall fitues.
Pas një hetimi intensiv disa mujor Prokuroria kreu hetimet dhe e nxorri Tupin të dyshuar në Gjykatë së bashku me një drejtor të një shkolle që ka vulosur dokumente false dhe i ka mundësuar diplomimin, në një kohë që i dyshuari nuk e kishte kishte qenë asnjë ditë në atë gjimnaz.
Në dokumentet e firmosura nga ish-drejtori i shkollës, Dashor Hysa, që do të gjykohet me të riun me falsifikim dokumentesh, për gjimnazistin e rremë përshkruhet se mëson dhe sillet shumë mirë.
Këtë diplomë gjimnazi, 36-vjeçari nga Dibra e ka paraqitur në Ambasadën Amerikane për intervistën prej të cilës pas lotarisë ai priste të pajisej me vizë.
Por ndërkohë, siç kuptohet, amerikanet kishin kryer disa procedura të verifikimit.
Ata kishin shkuar në fshatin Dorëz në Librazhd, në shkollën “Shefqet Dosku” dhe kishin kontaktuar me stafin.
Zbulimi i amerikaneve ishte se fituesi i lotarisë kishte paraqitur dokumente false.
Në këto kushte pasi ka parë se ëndrra e tij amerikane u thye, i riu ka vendosur të thotë të vërtetën.
Ai ka treguar se i duhej një diplomë dhe se kishte takuar një qytetar në Rrugën e Kavajës, të cilit i ka paguar 2 mijë euro për të marrë një vërtetim, shkruajnë mediat në Tiranë.
Policia i thotë Prokurorisë se shenjat e vulave në vërtetimin e shkollës së mesme i përkasin vulës së shkollës, ndërkohë Tupi nuk rezultonte i regjistruar në indeksin e amzës.
Ish-drejtori i shkollës edhe është i dyshuar ka deklaruar se një i ri kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar një vërtetim notash dhe ai ia kishte dhënë pas një verifikimi në regjistrin e veçante ku kishte parë që ky shtetas figuronte si nxënës i shkollës së mesme.
Prokuroria thotë se ish-drejtori nuk thotë të vërtetën dhe se zyrtari ka shpërdoruar detyrën duke mbajtur vulën jashtë shkollës dhe duke mos i vendosur numri protokolli vërtetimit që më pas është sjellë nga Librazhdi në Tiranë dhe është shitur për dy mijë euro.