image Shqiptarët rrisin numrin e të infektuarve, gazeta zvicerane u drejtohet shqip: Ju lutem vaksinohuni!

Diasporë

Shqiptarët rrisin numrin e të infektuarve, gazeta zvicerane u drejtohet shqip: Ju lutem vaksinohuni!

news image

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në ballinën e saj në gazetën e shtypur bëri thirrje në gjuhën shqipe për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.

 “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve.

Kohëve të fundit, numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik.

Në një konferencë për media ai ka njoftuar se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku dhe se të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë.

Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.

Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.

Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, tha se “Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”.

Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër.

Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës. /GazetaSinjali/