image Shqiptarët e Luginës i reagojnë ministrit serb

Kosovë

Shqiptarët e Luginës i reagojnë ministrit serb

news image

Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës i ka reaguar Beogradit zyrtar. Kryetari i këtij këshilli , Ragmi Mustafa, i ka bërë thirrje ministrit të Pushtetit Lokal të Serbisë, Branko Ruzhiq “ që të përqëndrohet në përmbushjen e detyrimeve të tij ligjore, dhe institucionale ndaj shqiptarëve që jetojnë në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës”.

Në deklaratën për media të lëshuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, thuhet se “Këshilli Kombëtar është gati për bashkëpunim institucional, por nuk do t’i nënshtrohet presionit dhe kërcënimeve”.

Reagimi i shqiptarve të Luginës së Preshevës, ndaj ministrit të Pushtetit Lokal të Serbisë,Branko Ruzhiq, erdhi pasi që ai kishte thënë se është “e papranueshme për përfaqësuesit e organeve, puna e të cilëve financohet me paratë e të gjithë qytetarëve serbë të veprojnë politikisht në kundërshtim me interesat e shtetit të tyre dhe komunitetit që ata përfaqësojnë”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ia kujton minsitrit serb të pushtetit lokal se dikasteri që ai e drejton “nuk e ka respektuar vendimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për emërtimin e vendbanimeve dhe rrugëve në komunën e Medvegjës, i cili sipas këtij këshilli është në kundërshtim me Ligjin për Pakicat Kombëtare”.

Reagimi i ministrit Ruzhiq erdhi pas një kërkese të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Kosovës drejtuar autoriteteve të Kosovës që “të përjashtojnë shqiptarët nga komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga vendimi për të mos njohur pasaportat serbe”.

Në kërkesë, Këshilli gjithashtu deklaroi se “mirëpret vendimet e autoriteteve të Kosovës për forcimin e shtetësisë”.