Kandidati për deputet nga Alternativa Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi, ka folur para mediave pas votimit në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po mbahen sot në Serbi.
Në deklaratën e tij para mediave, Arifi ka thënë se qytetarët e Preshevës edhe një herë po e dëshmojnë përkushtimin e tyre për të ushtruar të drejtën e votës, duke thënë se kështu po i dërgojnë mesazh Beogradit, që sipas Arifit i ka mohuar të drejtat e tyre tash e sa vite.
Ndër të tjerash, Arifi ka folur edhe për ndarjen e partive shqiptare në dy lista.
“Ne e dimë se kemi dy lista për herë të parë në Luginën e Preshevës, pork jo tregon edhe një herë diversitetin mes nesh”, ka thënë Arifi.
Tutje, ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës për mos mobilizimin e shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi, që t’i organizojnë transportin ashtu siç kanë bërë autoritetet serbe për qytetarët serbë nga Kosova.
“Bazuar në numrat e kaluar, 6 deri në 10 mijë qytetarë sot nuk kanë mundësi të votojnë. Ne po i shohim mobilizimin e serbëve nga Kosova që t’i sjellin për të votuar në Bujanoc. Por, ne e shohim edhe një neglizhencë të Qeverive kosovare të cilët po na lënë në mëshirën dhe mundësitë tona”, ka thënë Arifi.