image Shqipëria tjetër nivel: 900 euro paga mesatare vitin e ardhshëm

Shqipëri

Shqipëria tjetër nivel: 900 euro paga mesatare vitin e ardhshëm

news image

Shtatë miliardë euro parashikon buxheti i vitit të ardhshëm, teksa ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, në daljen për mediat pas miratimit të Projektbuxhetit 2024, u shpreh se sipas projeksioneve, parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm.

Qeveria synon që brenda vitit 2024, paga mesatare të arrijë vlerën e 900 eurove. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore.

Projektbuxheti parashikon indeksimin e pensioneve, mbështetjen për shtresat në nevojë, me 1/3 të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.

71 miliardë lekë parashikohet buxheti për pushtetin vendor gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që financimet do të vijojnë edhe për Rindërtimin,

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin.

Qeveria parashikon që për herë të parë që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në vitin 2009, të respektohet niveli i kërkuar me 2% të PBB-së.

Kështu, synohet që ekonomia e vendit tonë të mbetet një nga më të qëndrueshmet në rajon, Shqipëria të jetë një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit dhe të ofrohet punësim cilësor me pagat më të larta në rajon.

/GazetaSinjali/