Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se kanë nisur negociatat me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar më herët nga biznesmenët shqiptarë.
Sipas Ramës, zhbllokimi i kësaj sasie gruri nga Serbia mund të vijë falë nismës së “Ballkanit të Hapur”.
Këto deklarata kryeministri shqiptar i ka bërë të dielën, gjatë vizitës në një prej bizneseve në Tiranë, ku ndër të tjera foli për pasojat në ekonomi që janë shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
“Po negociojmë me Serbinë për të nxjerrë një pjesë të grurit që është kontraktuar nga biznesmenët tanë atje. Dhe do ta bëjmë falë Ballkanit të Hapur. Këto janë faktet”, u shpreh Rama.
Ideja e “Ballkanit të hapur” apo “Open Ballkan” për herë të parë u prezantua në qytetin e Novi Sadit në Serbi më 10 tetor të vitit 2019.
Në lansimin e kësaj iniciative morën pjesë liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.
Që nga ajo kohë kanë ndodhur disa takime ndërmjet këtyre tri shteteve pjesëmarrëse, porse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina refuzojnë të bëhen pjesë e tyre./GazetaSinjali/