Të paktën 30.000 mijë persona në vit janë prekur nga katastrofat natyrore në vendin tonë, që prej vitit 1995. Shqipëria renditet e para në Europë për rrezikun e ekspozimit ndaj zjarreve dhe përmbytjeve, sipas Indeksit Botëror të Rrezikut.
Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Europë nga katastrofat natyrore. Zhvillimet e dekadave të fundit, e sidomos ndryshimet klimatike kanë prekur drejtpërdrejt vendin tonë, duke e futur në rrethin e kuq të riskut.
Indeksi Botëror i Rrezikut i vendos vendit tonë koeficientin e riskut 8.46, ndërsa mesatarja për gjithë Europën arrin në 5.2. Edhe sipas një studimi të Bankës Botërore, gjatë periudhës 1995–2015, një mesatare prej 30,000 njerëz u prekën çdo vit nga katastrofat natyrore në vendin tonë.
Po sipas këtij studimi, më shumë se 95 përqind e bashkive u prekën nga të paktën një katastrofë. “Kostoja ekonomike e katastrofave mund të rritet më tej si rezultat i rritjes së ekonomisë”.
“Ndryshimi i klimës mund të shtoje më tej frekuencën e fatkeqësive të lidhura me motin, të tilla si përmbytjet dhe stuhitë”, deklaron Banka Botërore.
Shqipëria është përfshirë prej fundit të korrikut nga një valë zjarresh në gjithë territorin, ndërsa po rikuperon pasojat e rënda të tërmetit të nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, që shkaktoi 51 viktima dhe preku direkt apo indirekt 200 mijë persona. /Gazeta Sinjali/