Dy shok-bomba dyshohet se janë hedhur sonte në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia atje që ka bërë të ditur se nuk ka persona të lënduar e as dëme materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Shpërthimet dyshohet të kenë qenë të forta, incidente këto që kanë nisur qysh nga dita e djeshme. Një sinjalizuesi i Sinjalit nga Veriu ka treguar se nga një veturë në lëvizje, në udhëkryqin në këtë lagje ishte lëshuar shok-bomba dhe më pas vetura është larguar në drejtim të urës kryesore.
Sinjali ka siguruar edhe pamje nga vendi i ngjarjes menjëherë pasi janë dëgjuar shpërthimet dhe vetura e dyshuar është larguar nga aty. Në videon e mëposhtme shihen vetëm disa qytetarë, teksa Policia dhe karabinierët ende s’kishin arritur.
Besim Hoti nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Veri ka njoftuar se shpërthimet kanë qenë në dy lokacione.
“Është e vërtetë që ka pasur shpërthime në dy lokacione të ndryshime. Bëhet fjalë për sulme me shok-bomba, s’ka të lënduar e as dëme materiale”, tha Hoti.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se situata atje është shqetësuese dhe shtoi se janë në koordinim edhe me KFOR-in edhe me institucionet tjera.