Një bombolë gazi ka shpërthyer gjatë ditës së sotme në lagjen “Shadërvani” në Gjilan, ku si pasojë ka mbetur i lënduar një person, shkruan Gazeta Sinjali.
Shpërthimi ka ndodhur në një magazinë të një shtëpie private.
Bombola e gazit dyshohet të ketë shpërthyer porsa pronari i shtëpisë i është afruar derës së magazinës. Ky shpërthim i bombolës është përcjellë me zjarr.
Pronari i shtëpisë për shkak të lëndimeve të marra fillimisht është dërguar në spitalin e Gjilanit e më pas në QKUK në Prishtinë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai ka njoftuar se dëmet materiale nga ky shpërthim janë tejet të konsiderueshme.
“Në vendin e ngjarjes përveç policisë së Kosovës kanë dalë edhe njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë lokalizuar zjarrin.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe rastin e ka cilësuar “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ka urdhëruar që të hetohen shkaqet dhe rrethanat si ka ndodh ky rast”, ka thënë ai për Sinjalin.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në Gjilan.