Kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me kreun e LDK-së Isa Mustafa.
Ai gjatë emisionit Pressing në T7, tha se beson që Mustafa e ka ditur se do ta nënshkruajnë koalicionin parazgjedhor me AAK-në.
“Takimi shkoi pozitivisht. U dakorduam ta hapim mundësinë e bashkëpunimit, nëse jo para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve. E mira do të ishte që të bëhej një koalicion që të dihet se do të fitojë para zgjedhjeve. Tash jemi pretendent serioz për të fituar zgjedhjet. Nuk pretendoj se do të fitojmë 100 vende. I kemi 12 deputetë tonë që do të garojnë, por edhe fytyra të reja që do të garojnë, por jemi të interesuar të sjellim dhe subjekte tjera në listën tonë. Ta bëjmë një listë serioze për fitore”, tha Ahmeti.
AAK dhe PSD zyrtarisht sot nënshkruan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor, pas së cilës u tha se nuk janë të interesuar për një PAN 2, por iu bë ftesë Nismës dhe AKR-së që të bashkohen, duke thënë se në listën për deputetë ka vend edhe për këto dy parti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, sot ka nisur me takime me liderë të partive opozitare. Pas takimit me Albin Kurtin e Vetëvendosjes javën që shkoi, ai tani është takuar me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetin dhe me atë të Nismës, Fatmir Limaj.
Këto takime janë duke u mbajtur pak ditë para seancës së të enjtes, gjatë së cilës, pritet që deputetët të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit.