Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur të pafajshëm Arben Morinën, i cili akuzohej për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, shkruan Gazeta Sinjali.
Morina akuzohet se më 8 maj të vitit 2019, në mes të orës 23:00 dhe 05:00, e ka privuar nga jeta vëllain e tij 31-vjeçar, Naser Morina.
Sipas aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, Morina është liruar nga të dy pikat e aktakuzës në mungesë të provave.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së të njëjtit.
I akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e vëllait të tij edhe në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator të 2020-ës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Arben Morina po ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 8 maj 2019, në mes të orës 23:00 e gjerë në orën 05:00 të 9 majit 2019, në fshatin Çifllak të Rahovecit, në shupën e cila gjendet në katin e parë të shtëpisë së të ndjerit, me dashje dhe motive të panjohura ka privuar nga jeta vëllain e tij, 31-vjeçarin, Naser Morinën.
Tutje sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë ndodhur në atë mënyrë që duke qëlluar me një të shtënë nga revolja kalibër dhe tip i panjohur në pjesën e parme të kraharorit, ku sipas raportit të autopsisë vdekja e tij ka ardhur si rezultat i gjakderdhjes së brendshme të kraharorit si pasojë e plagës tejshkuese në regjionin e zemrës, e shkaktuar nga veprimi i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.
Sipas aktakuzës, arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e vrasjes nuk është arritur që të sekuestrohet, pasi që i akuzuari të njëjtën e ka hedhur./Gazeta Sinjali/