Shkarkimet e kryeshefëve të disa ndërmarrjeve publike nga bordet e përkohshme të emëruara nga ekzekutivi, Lëvizja Vetëvendosje i cilësoi si sukseset më të mëdha të Qeverisë Kurti.
Me bujë të madhe, bordet e përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti e shkarkuan kryeshefin e Telekomit, të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe atë të Postës së Kosovës. Por, të tri këto vendime janë hedhur në ujë sot, ndërsa pritet kthimi i të tre kryeshefëve në krye të këtyre ndërmarrjeve. Për këtë ka marrë vendim Inspektorati i Punës, i cili ka gjetur shkelje të ligjit në të tri vendimet e bordeve për t’i shkarkuar tre kryeshefët, shkruan Gazeta Sinjali.
Më 10 prill, shkarkimi i kryeshefit të Postës së Kosovës, Shefqet Avdija, u bë lajmi i parë i madh i këtij soji. Lajmin e kishte dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.
“Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmjarret Publike”, kishte thënë Hajdari, duke shtuar se ndërmarrja kishte degarduar gjatë viteve të fundit.
Në po të njëjtën ditë ishte planifikuar të shkarkohej edhe kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, por bordi e kishte anuluar një mbledhje të paralajmëruar, arsyet e vërteta të të cilit anulim nuk dihen ende.
Megjithatë, jo shumë më vonë, më 24 prill, i erdhi rendi Istrefit. Pas një mbledhje ku u tha se pati tensione, bordi i përkohshëm e shkarkoi atë, e me të edhe zyrtarin kryesor të financave dhe thesarit si dhe dy zëvendësshefat ekzekutivë.
Në po të njëjtën ditë, Bordi i ri i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kompanisë, Njazi Thaçin. Ky vendim kishte ardhur një ditë pasi qeveria vendosi ta shkarkojë bordin paraprak të kësaj ndërmarrjeje dhe emërinin e bordit të ri.
Por sot, Inspektorati i Punës, përmes tri vendimeve të nxjerra, i ka cilësuar të paligjshme shkarkimet e Avdijës, Istrefit e Thaçit.
Me vendimet e Inspektoratit të Punës, bordet e përkohshme të Postës, Telekomit e KEK-ut obligohen që t’i anulojnë vendimet dhe Shefqet Avdijën, Bedri Istrefin dhe Njazi Thaçit t’i kthejnë në pozitat që i mbanin.
Sipas Inspektoratit të Punës, vendimet për këto tri shkarkime janë në kundërshtim me Ligjin e Punës, por edhe ligje tjera të aplikueshme në vendin tonë.
Bordet obligohen gjithashtu ta njoftojnë Inspektoratin brenda 8 ditëve për veprimet e ndërmarra lidhur me këto vendime. /Gazeta Sinjali/