Ende vijon të mbetet e pazgjidhur ngjarja e rëndë e së premtes në Deçan të Kosovës, ku një person qëlloi me AK-47 drejt autobusit të shkollës, dhe la tre të vdekur.
Shoferi i autobusit dhe dy të rinjtë Ledjon Hamzaj dhe Genta Mustafaj, 16 dhe 17-vjeç, u ndanë nga jeta për shkak të breshërisë së plumbave.
Sot në emisionin “Breaking” në Top News, foli Elona Krasniqi, shoqja e klasës së Ledjonit. Ajo tregoi se çfarë i tha për herë të fundit 16-vjeçari.
“E kam takuar 5 orë para ngjarjes, e kisha në klasë. Ai vetë s’ka pasur asnjë problem me askënd. Gjithmonë ka qenë në humor të mirë. Mua nuk më ka folur për konfliktin e shoferëve, por i ka thënë një shokut tjetër në klasë”, theksoi ajo.
“Paradite ishim në Malishevë se kishim praktikë. Ledioni duhet të ikte më një autobus tjetër, por mori mamin në telefon dhe i tha do vonohem pak dhe do vij me autobusin e fundit, të orës 18:00”, tha nxënësja.
“Unë isha në qytet, më mori në telefon një shok dhe më tregoi. Na ka shokuar të gjithëve si shoqëri, si klasë, si shkollë. Ai kishte një shoqëri të gjerë, me të gjithë kalonte mirë dhe ishte nxënës shembullor”, tha Elona./GazetaSinjali/