Shoqata e Gastronomisë së Kosovës pas miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili parasheh lehtësimin e normës tatimore për gastronominë nga 18 në 8 për qind, ka bërë thirrje që sektori i gastronomisë të zbatojnë vendimin e qeverisë, përcjellë Gazeta Sinjali.
Ndryshe, Ligji për Rimëkëmbje u miratua të premten e kaluar, pas aprovimit të katër amandamenteve të shtuara në projektligj nga Partia Demokratike e Kosovës.
Njoftimi i plotë i Shoqatës së Gastronomisë:
NJOFTIM INFORMUES PËR BIZNESET E HORECA
Të dashur gastronomë,
Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, (këtu e tutje “Ligji”) që nga data 07/12/2020 ka hyrë në fuqi. Nga ky ligj kuptojmë që norma tatimore për gastronomi nga niveli 18%, do të reduktohet në 8%. Për më shumë kuptoni në tekstin vijues:
Neni 7 i këtij Ligji bën plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (këtu e tutje “Ligji për TVSH”).
Sipas këtij Ligji, neni 26 i Ligjit për TVSH, pas nën-paragrafit 2.13., shtohet një nën-paragraf i ri, me numrin rendor 2.14., me tekstin si në vijim:
2.14. furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.
Nga kjo dispozitë nënkuptojmë që produktet si ushqimore, ashtu edhe të pijeve, të cilat shërbehen nga sektori i gastronomisë duhet të reduktohen nga norma tatimore 18%, në 8%.
Thënë ndryshe, arkat fiskale duhet të riprogramohen dhe kuponat fiskal duhet të lëshohen me 8%, pasiqë ky ligj është në fuqi dhe nga ky ligj tashmë si qytetarët ashtu edhe sektori i gastronomisë mund të përfitojnë duke kontribuar në normë tatimore të zbritur.