image Shoqata e Gastronomëve del me 8 kërkesa për ministrin Murati

Kosovë

Shoqata e Gastronomëve del me 8 kërkesa për ministrin Murati

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka dalë me 8 kërkesa për Ministrin e Financave, Hekuran Murati, pasi që masat e reja që priten të merren do të ndikojnë edhe në këtë sektor, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tyre me vendimet e reja bizneset po lihen në mëshirë të fatit, pasi që siç kanë potencuar ata nuk po përkrahen nga qeveria.

Kërkesat e gastronomëve janë si vijon:

I. Subvencionimi i gjysmës së pagës mesatare të punëtorëve për 3 muaj radhas. 

II. Mbulimi i shpenzimeve operative (qiratë, rryma, uji, mbeturinat) – të vitit 2020 dhe 2021 për bizneset që kanë zhvilluar aktivitet të pjesshëm ekonomik. 

III. Kompensim mujor për pronarët e bizneseve të cilat nuk janë lejuar të operojnë gjatë pandemisë. Kompensimi duhet të përcaktohet nga 10% të fitimit neto të vitit 2019. Kjo pagesë duhet t’iu ndahet në baza mujore për një periudhë të arsyeshme. 

IV. Të bëhen ndryshimet ligjore që mundësojnë pagesën e detyrimeve tatimore aktuale, të paguhen në vitin pasues me këste 3 mujore pasdhënie (Sipas sistemit Anglez). Kjo vlen vetëm për tatimin në fitimin e tatueshëm për Korporata, si dhe tatimin në të ardhurat personale të tatueshme për Bizneset Individuale.  Ofrimi i kësaj mundësie nënkupton që obligimet tatimore të periudhës 2021, të paguhen në formë të kësteve pasdhënie në vitin 2022. Kjo formë e pagesës të aplikohet për periudhat e ardhshme tatimore.

V. Të ndryshohet pragu i kalkulimit të të ardhurave personale të pa tatueshme në paga, nga 960,00 euro në vit (80,00 euro në muaj), në 1.800,00 në vit (150,00 në muaj). Ndërsa për paga më të larta të gjendet një proporcion i arsyeshëm, në mënyrë që të aplikohen shkallët tatimore prej: 4%; 8%; dhe 10%. 

VI. Të shtyhen pagesat e afateve të kredive dhe kthimit të mbitërheqjeve të vjetra (para pandemisë). Interesi të subvencionohet nga buxheti i shtetit.

VII. Të shqyrtohet reduktimi i normave tatimore në pagat e punëtorëve dhe tatimit ne fitim.

VIII. Të zgjatet vendosja e TVSH-së në shitje në 8% deri më 31 dhjetor 2026.

Krejt në fund ata kanë shkruar se presin reagim urgjent nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që bizneset e gastronomisë të mos ballafaqohen me vështirësi ekonomike. /Gazeta Sinjali/