image Serbët gjejnë “rrugë alternative” për t’iu shmangur barrikadave në veri

Politikë

Serbët gjejnë “rrugë alternative” për t’iu shmangur barrikadave në veri

news image

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës po “zbulojnë” mënyra se si t’u shmangen barrikadave në rrugë për të gjashtën ditë radhazi që nga ngritja e tyre, shkaku i arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Siç raporton REL këto informata janë siguruar nga vetë banorët në veri të Kosovës, por të cilët nuk duan të flasin publikisht për këtë temë.

Në veri të Kosovës janë katër komuna me shumicë serbe – Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Fshatrat përreth këtyre qyteteve janë bërë “rrugë të rregullta” për të shmangur rrugët kryesore të bllokuara me makineri të rëndë.

Megjithëse Policia e Kosovës i ka mbyllur pikat kufitare në veri – Jarinjë dhe Bërnjak – të ashtuquajturat rrugë “alternative” përdoren për të shkuar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Njëra nga to kalon nëpër fshatin Mure, i cili zyrtarisht i përket komunës së Rashkës, qytet kufitar në Serbi.

Këto të dhëna i ka konfirmuar edhe drejtori i RTV-së lokale “Mir” nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq. Në ditën e dytë pas ngritjes së barrikadave, më 11 dhjetor, atij i ishte dashur të shkonte në Prishtinë, dhe, siç thotë ai, u detyrua t’i “anashkalojë” barrikadat. Ai thekson se kjo “nuk është aspak e lehtë”, edhe pse i njeh shumë mirë rrugët lokale, sepse ka lindur dhe jeton në komunën e Leposaviqit.

“Rruga nga Leposaviqi në Mitrovicën e Veriut zakonisht zgjat rreth gjysmë ore, mua m’u deshën një orë e gjysmë për të arritur në Mitrovicë. Këto rrugë janë shumë të këqija”, thotë Radosavleviq.

Megjithatë, ai thekson se tani për tani ata nuk kanë zgjidhje tjetër dhe shton se në ato rrugë lëvizin edhe patrullat e EULEX-it (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit) dhe KFOR-it (misioni ushtarak paqeruajtës i NATO-s në Kosovë).

Në deklaratën e tij, Radosavleviq tha se serbët lokalë që ngritën barrikadat “po bllokojnë vetveten”.

Ai beson se prapa të gjithave qëndron Lista Serbe, parti që funksionon në Kosovë me mbështetjen e Beogradit, dhe tha se ngjarjet e fundit nuk janë vullnet i qytetarëve, por “tentime për t’i kontrolluar njerëzit dhe të gjitha institucionet”.

“Njerëzit naivë dhe të frikësuar, të shantazhuar me punë, rrogë, në çdo mënyrë të mundshme, ata thjesht shkojnë (në barrikada), dëgjojnë verbërisht”, thotë Radosavleviq.

Zyrtarët e Listës Serbe i përkrahin publikisht barrikadat në veri dhe i kanë vizituar ato vende me mesazhe inkurajuese për qytetarët e grumbulluar aty. Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, ka përsëritur se barrikadat janë “reagim dhe jo veprim”.

Pse u ngritën barrikadat?

Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës nisi më 10 dhjetor, pas arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-policit që akuzohet për pjesëmarrje në sulmin në objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës më 6 dhjetor.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur që nga fillimi i nëntorit, shkaku i një sërë incidentesh pasi serbët e Kosovës u larguan nga institucionet në veri.

Në incidentet që pasuan, në fillim të dhjetorit, u përdorën armë zjarri dhe mjete shpërthyese.

Barrikadat janë formë e shpeshtë e “rezistencës” nga pjesëtarët e komunitetit serb në veri ndaj autoriteteve të Kosovës dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Kjo është hera e tretë që ato ngrihen brenda një viti e gjysmë.

Vendosja dhe largimi i barrikadave në veri ndër vite

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, grupe të serbëve lokalë në veri të vendit kanë ngritur disa herë barrikada për të kundërshtuar aksione policore dhe vendime të Qeverisë së Kosovës.

/GazetaSinjali/