image Shkoi në dasmë, mbeti i palëvizshëm nga përdorimi i armëve pa leje

Kosovë

Rrëfim/ Shkoi në dasmë, mbeti i palëvizshëm nga përdorimi i armëve pa leje

news image

Asllan Ukës i ndryshoi jeta më 17 korrik të vitit 2005, kur u qëllua nga  një plumb qorr në dasmën e nipit të tij. Që nga ajo ditë, Uka ka mbetur i palëvizshëm në karrocë, i paaftë për punë.

Uka, i cili atë kohë ishte 47 vjeçar, në një rrëfim për Gazetën Sinjali sjell në kujtesë këtë ngjarje të rëndë për të cilën thotë se nuk do të dëshironte ta përjetonte askush. Ai tregon se si u plagos nga kushëriri i dhëndërit të tij.

“Personi i cili më ka plagosur ka qenë djali i axhës së dhëndrit tim (burrit të hallës). Kemi pasur raporte normale pa kurrfarë problemesh. I njëjti, tashmë i ndjerë, ka jetuar në Norvegji. Nuk jemi takuar me vite të tëra, por probleme nuk kemi pasur asnjëherë”, ka deklaruar Uka për Gazetën Sinjali.

Personi i cili e kishte plagosur kishte qëndruar vetëm 24 orë në paraburgim dhe ishte liruar duke paguar një shumë prej 3 mijë euro, ndërsa Asllani po vazhdon t`i bartë pasojat gjatë tërë jetës së tij.

Tash e 14 vjet, Asllan Uka ka mbetur i paaftë për punë.

“Para se me ndodhë rasti kam punuar me babanë dhe vëllain në ndërtimtari, kemi ndërtuar kryesisht shtëpi por edhe objekte tjera po merret vesh privatisht. Tani nuk punoj ngase tashmë jam me aftësi të kufizuara, pra në karrocë. E marr një pension invalidor njëqind e pesëdhjetë euro në muaj”, ka rrëfyer tutje Uka.

Ai ka një mesazh për kosovarët që zgjedhin armët për të festuar, si dhe fton organet e rendit të marrin masa ndaj tyre.

“Po e kam thënë, po e përsëris ngase duhet të vetëdijesohen të gjithë, le të ketë sa më shumë dasma, gëzime e ahengje, por të festohet me zemër, edhe mënyra të ndryshme por jo me armë, kur dihen pasojat e mundshme. Kjo për fat të keq nuk më ka ndodhur vetëm mua por ka shumë raste sikur rasti im, bile edhe me tragjikisht, me fatalitet, andaj eshte momenti i fundit që të ndalohet kjo praktikë e festimit me armë.

Porosi tjetër imja është edhe për organet e rendit që të jenë më të vëmendshëm, që t’i parandalojnë rastet, e jo të merren me pasojat mandej”, ka deklaruar Uka.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, numri i rasteve të përdorimit të armëve në ahengje familjare është pothuajse i njëjtë me shifrat e vitit të kaluar.

Policia ka raportuar se vetëm një person është plagosur si pasojë e gjuajtjeve me armë në ahengje familjare këtë vit.

Të dhënat tregojnë se janë konfiskuar gjithsej 88 armë pa leje gjatë vitit 2018, ndërsa 90 armë pa leje gjatë vitit 2019.

Në vitin 2018 janë evidentuar 86 raste nga Policia e Kosovës, ndërsa 79 raste në vitin 2019.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Gazetën Sinjali se në vazhdimësi janë hartuar programe dhe plane veprimi të cilat konsistojnë në mbrojtjen e jetës së qytetarëve si dhe në vetëdijesimin e tyre.

“Synimi i policisë është që ahengjet dhe manifestimet e ndryshme të organizuara nga ana e qytetarëve të shkojnë mbarë, qetë dhe pa të shtëna në mënyrë që ahengjet familjare dhe festimet e ndryshme të festohen pa rrezikuar jetën e njerëzve”, ka thënë Hoxha.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se deri tani kanë aplikuar vetëm 1 mijë e 800 persona për legalizimin e armëve pa leje./Gazeta Sinjali/