Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përballen me “dimrin më të errët” të kohëve të fundit, nëse nuk përmirësojnë kundërpërgjigjen ndaj pandemisë.
Alarmi u lëshua nga një shkencëtar, i cili u hoq nga posti i tij qeveritar pasi ngriti shqetësime për parapërgatitjen jo të duhur të institucioneve për të përballuar emergjencën koronavirus. Disa orë pasi presidenti, Donald Trump, vërshoi me kritika kundër shkencëtarit në Twitter, Rick Bright dëshmoi përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me shpërthimin e pandemisë në SHBA.
“Nëse ne dështojmë të përmirësojmë kundërpërgjigjen tonë të bazuar në shkencë, kam frikë se pandemia do të përkeqësohet dhe të zgjatet në kohë. Me shumë gjasë do të ketë një shpërthim të ri të COVID-19 këtë vjeshtë. Do të sjellë më shumë sfida se gripi sezonal. Pa një planifikim më të mirë, 2020 mund të sjellë dimrin më të errët të historisë moderne”, u shpreh Rick Bright, këshilltar në Institutin e Shëndetësisë Kombëtare në SHBA.
Bright u largua muajin e kaluar nga agjencia përgjegjëse për zhvillimin e vaksinës dhe ilaçeve që luftojnë koronavirusin. Ai kritikoi shtysën e Trump për të rihapur ekonominë amerikane sa më parë, duke nënvizuar se administrata nuk ka një plantë mirëkoordinuar dhe të plotë. Gjithashtu, shtoi se mënyra më e mirë për të tejkaluar këtë emergjencë është ndjekja e këshillave të shkencëtarëve. /Gazeta Sinjali/