Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Teknologjisë dhe Dizajnit (SUTD) në Singapor parashikojnë se pandemia do të përfundojë në dhjetor.
Shkencëtarët nga ky universitet kanë përdorur në hulumtimin e tyre një model matematikor të njohur si SIR.
Modeli i tyre llogarit shkallën në të cilën përhapet sëmundja dhe në çfarë niveli njerëzit shërohen nga ajo sëmundje.
Të dhënat e përdorura në këtë studim janë vetëm raste të konfirmuara të infeksionit me coronavirus, numri i testeve të kryera dhe numri i vdekjeve të konfirmuara.
Bazuar në këto të dhëna, ata përcaktuan një cikël të vetëm jetësor të koronavirusit.
Sigurisht, duhet pasur parasysh se këto të dhëna kanë shumë të ngjarë që të mos paraqesin pamjen e vërtetë, dhe për këtë arsye gjithçka duhet të merret me një dozë të lartë kujdesi.
Por rezultatet janë interesante.
Sistemi i tyre i inteligjencës artificiale parashikon që pandemia e koronavirusit në të gjithë botën do të përfundojë në dhjetor, duke vërejtur se ajo ndryshon në vende të ndryshme.
Kështu, në Australi, fundi i pandemisë parashikohet në qershor dhe në Itali në tetor.
Ne kemi përmendur tashmë, dhe pjesëmarrësit e këtij hulumtimi vetë vërejnë – modeli dhe të dhënat nuk mund të kapin në mënyrë të duhur kompleksitetin dhe dinamikën e përhapjes së sëmundjes COVID-19, por ata besojnë se parashikimet e tyre janë një vlerësim mjaft i mirë dhe mund të shërbejnë për planifikimin proaktiv që vendet i qasen kur hiqet karantina ose liria e lëvizjes të jetë më e madhe.
Çfarë dhe si parashikon modeli?
Historia na mëson se evolucionet pandemike nuk janë plotësisht të rastësishme në natyrë, por ndjekin një linjë të ciklit jetësor që fillon në momentin e një shpërthimi, ka një kulm të shpërthimit dhe pastaj ngadalësohet derisa epidemia të ketë zbritur plotësisht.
Kjo e bindi ekipin në SUTD se mund të parashikonte ciklin jetësor të koronavirusit. Por së pari ata kishin nevojë për të mbledhur shumë informacione.
Të dhënat e koronavirusit janë marrë nga Our World Data, një organizatë kërkimore për çështjet më të mëdha në botë.
Ekipi më pas përdori këto të dhëna me modelin e tyre matematikor për të parashikuar se sa njerëz do të infektoheshin në të ardhmen.
Ekipi i studiuesve tregon se sipas parashikimeve të tyre, duhet të tregohet kujdes gjithashtu. Një optimizëm i tepërt mund të minojë para kohe disiplinën dhe kufizimet qeveritare në vendet e veçanta, duke zgjeruar kështu epideminë.
Ata paralajmërojnë gjithashtu se saktësia e modelit të tyre varet gjithashtu nga cilësia e të dhënave që ata përdorën për parashikim.
Gjithashtu, modeli nuk mund të parashikojë efektet e vendimeve politike.
Për shembull, masa e Singaporit për të zgjatur karantinën mund të lakojë kurbën më herët sesa ishte parashikuar, ndërsa relaksimi i hershëm i distancës sociale në SHBA mund të vonojë fundin e pandemisë.
Megjithatë, Jianxi Luo beson se parashikimet mund të ndihmojnë në përgatitjen për fazën tjetër të virusit – me kusht që ato të jenë të sakta.