image Shkencëtarët evropianë: Korriku, muaji më i nxehtë ndonjëherë

Botë

Shkencëtarët evropianë: Korriku, muaji më i nxehtë ndonjëherë

news image

Organizata evropiane që monitoron klimën e ka bërë zyrtare konstatimin: Korriku i vitit 2023 ishte muaji më i nxehtë në Tokë i regjistruar ndonjëherë.

Temperatura mesatare botërore në muajin korrik prej 16.95 gradë Celsius, por këtë vit ishte një e treta e gradës më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar më 2019, tha Shërbimi për Ndryshime Klimatike, një degë e programit hapësinor të Bashkimit Evropian. Thyerja e rekordeve të temperaturave globale zakonisht bëhet me të qindrat ose me të dhjetat e një grade, prandaj diferenca aktuale është e pazakontë.

“Këto rekorde kanë pasoja të rënda për njerëzit dhe planetin që po ekspozohen gjithnjë e më shpesh ndaj ngjarjeve ekstreme dhe intensive”, tha drejtoresha e këtij shërbimi, Samantha Burgess.

Valë vdekjeprurëse të të nxehtit kanë goditur jugperëndimin e Shteteve të Bashkuara, Meksikën, Evropën dhe Azinë. Disa studime kanë fajësuar ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, sikurse djegia e qymyrit, përdorimi i naftës dhe i gazit natyror.

Ditët gjatë korrikut ishin më të nxehtat që janë regjistruar ndonjëherë. Temperaturat ishin aq të larta sa që Shërbimi i BE-së dhe Organizata Botërore e Meteorologjisë bënë një njoftim të mëhershëm se korriku pritej të ishte më i nxehti në histori, para se muaji të përfundonte. Njoftimi i 8 gushtit vetëm ka konfirmuar këto konstatime.

Korriku i këtij viti ishte 1.5 gradë Celsius më i nxehtë se në kohët paraindustriale. Më 2015, shtetet e botës u pajtuan që të parandalonin ngrohjen afatgjatë që është 1.5 gradë më e nxehtë sesa në epokën paraindustriale.

Korriku i këtij viti ishte 0.7 gradë Celsius më i nxehtë sesa mesatarja e regjistruar në këtë muaj në periudhën 1991-2020, tha Shërbimi i BE-së.

Oqeanet e botës, ndërkaq janë për gjysmë gradë më të nxehtë sesa në 30 vjetët paraprak dhe temperatura në Atlantikun e Veriut ishte 1.05 gradë më e nxehtë sesa është mesatarisht.

Ndërkaq, Antarktiku këtë vit ka shënuar nivelin më të ulët të akullit, 15 për qind më pak se mesatarja që regjistron zakonisht në këtë periudhë të vitit.

/GazetaSinjali/