image Valët e të nxehtit nuk kanë mbaruar

Botë

Valët e të nxehtit nuk kanë mbaruar

news image

Teksa është gjysma e stinës së verës, nxehtësia rekorde dhe moti ekstrem gjatë këtij viti janë të paprecedentë, por jo befasues, thanë shkencëtarët.

Bota është përballur me nxehtësi dhe vërshime vdekjeprurëse dhe me zjarre të egra. Por, ende nuk ka sinjale se situata është duke u përmirësuar.

Qendrat për parashikimin e motit në Evropë dhe Amerikë kanë paralajmëruar se muajt gusht dhe shtator do të jenë më të nxehtë se zakonisht.

“Ne po shohim në mbarë botën ndryshime të paprecedentë”, tha shkencëtari për klimën në Agjencinë kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), Gavin Schmidt.

“Valët e të nxehtit që po shohim në Shtetet e Bashkuara, në Evropë, në Kinë, po thyejnë rekorde. Kjo nuk është befasi”, tha ai.

Shkencëtarja e klimës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Friederike Otto, tha se shpjegimi se pse po ndodhin valët e të nxehtit është “gjë e mërzitshme”, pasi sipas saj ato vazhdimisht ndodhin. Megjithatë, ajo tha se shpjegimi pse ndodhin valët e të nxehtit ka rëndësi, “sepse tregon sërish se sa kanë rol ndryshimet klimatike në atë që ne aktualisht po përjetojmë”.

“Këto ndikime do të vazhdojnë”, tha Schmidt. “Ne do të shohim këto ndikime gjatë këtij viti dhe gjatë vitit tjetër” me ngrohjen natyrale të Paqësorit nga El Ninjo, që do të shtojë ndikim dërrmues në ndryshimet klimatike që shkaktohen nga njeriu, kryesisht përmes djegies së qymyrit, naftës dhe gazit”.

Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike dhe El Ninjo janë shkaktarët e mëdhenj të të nxehtit ekstrem.

Nxehtësi e madhe

Në nivel botëror, qershori i këtij viti ka qenë qershori më i nxehtë në histori dhe shkencëtarët kanë thënë se korriku ka qenë aq i nxehtë, saqë ende pa përfunduar muaji konstatuan që do të ishte muaji më i nxehtë në histori. Por, janë disa shtete që janë goditur nga nxehtësia dhe ka pasur viktima.

Feniks në Arizona të SHBA-së, ku në ditën e fundit të qershorit dhe çdo ditë të korrikut është shënuar temperaturë prej të paktën 43 gradë Celsius, shënoi rekord për valën më të gjatë të të nxehtit, përderisa temperaturat nuk zbritën nën 32 gradë gjatë natës.

Në El Paso të Teksasit, për 44 ditë me radhë temperaturat ishin 37 gradë Celsius. Shkollat u mbyllën në shtetin Nuevo Lion në veri të Meksikës një muaj para kohe, pasi temperaturat arritën në 45 gradë Celsius.

Majami u përball me lagështi të ajrit dhe temperaturat prej mbi 38 gradë Celsius për 46 ditë me radhë.

Pekini, po ashtu, ka shënuar rekord të temperaturave. Në korrik, për 27 ditë kryeqyteti i Kinës ka regjistruar temperatura prej 35 gradë Celsiusësh, teksa në qershor për tre ditë ka shënuar temperatura prej 40 gradësh. Kina regjistroi temperaturën më të lartë në histori më 16 korrik në qytetin Sanbao, ku temperatura arriti në 52.2 gradë Celsius.

Temperatura rekorde janë shënuar në mbarë Evropën jugore. Në Sardenja të Italisë u regjistrua temperaturë prej 47 gradë Celsiusësh. Palermoja në Sicili theu rekordin e vitit 1791, duke shënuar rritje të temperaturave prej 2 gradë. Në Giteio të Greqisë u regjistrua temperaturë prej 46 gradë Celsiusësh.

Në mesin e korrikut, Spanja raportoi gati 1.000 vdekje si pasojë e temperaturave të larta. Shumica e viktimave ishin të moshuar.

Në Argjentinë, ku është stina e dimrit, në qershor u regjistruan temperatura prej 32 gradë Celsius për katër ditë me radhë. Ndërkaq në korrik, asnjë natë në Buenos Ajres nuk u shënuan temperatura nën 20 gradë.

Shumë shi

Mbi 10.000 persona janë evakuuar nga provinca Hunan në Kinën qendrore, pas shirave të rrëmbyeshëm që shkatërruan të paktën 70 shtëpi. Në Jaçang, shirat shkaktuan rrëshqitje të dheut, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vrarë të paktën një person.

Kuislendi i Australisë, vetëm në një ditë të korrikut, regjistroi 13 herë më shumë reshje shiu sesa regjistron normalisht.

Në Dehli të Indisë, mijëra persona u evakuuan për shkak të shirave që shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje të dheut. Gjetkë në këtë shtet, të paktën 100 persona humbën jetën për shkak të vërshimeve.

Në SHBA, një stuhi e papritur shiu shkaktoi viktima në Vermont, Konektikat dhe Pensilvani.

Zjarret

Shirat e pakta në Greqi dhe Spanjë nxitën zjarret e egra, lufta ndaj të cilave u dëshmua se ishte shumë e vështirë. Në ishujt Kanarine, si pasojë e zjarreve u evakuuan 4.000 persona, dhe të tjerët vendosën maskat e fytyrës për shkak të tymit. Për shuarjen e këtyre zjarreve u angazhuan 400 zjarrfikës.

Temperaturat e nxehta dhe të thata shkaktuan mbi 160 zjarre të egra në Izrael në fillim të qershorit.

Në pjesët e Kanadasë, ku nuk ka popullsi të madhe, pati zjarre të mëdha. Në veri të Kebekut, zjarret shkaktuan tym të madh, duke bërë që ajri i këtij qyteti të ishte ndër më të ndoturit në botë.

Deri në fund të korrikut, mbi 600 vatra të zjarreve të egra ishin jashtë kontrollit në Kanada. Një sipërfaqe rekorde prej 123.000 kilometrash katrorë është djegur dhe zjarret ende nuk janë shuar.

Temperaturat e ujit

Temperaturat e ujit në Florida dhe në Parkun Kombëtar Evergllejds arritën 30 gradë Celsius. Në Gjirin Manate, u shënua temperaturë rekord prej mbi 37 gradë Celsius. Jozyrtarisht kjo konsiderohet temperatura më e lartë e regjistruar në sipërfaqen e ujit në botë.

Në Atlantikun e Veriut u regjistruan temperatura të larta që alarmuan shkencëtarët. Oqeanet e botës në tërësi gjatë qershorit regjistruan temperatura rekorde dhe në korrik këto rekorde u thyen. Në Arktik, shkrirja e akullnajave po ashtu shënoi rekord.

Temperaturat në oqeane duan kohë të gjatë që të rriten dhe të zbresin, tha profesori i meteorologjisë në Universitetin e Illinoisit Verior, Victor Gensini. Ai tha se situata deri në fund të verës nuk pritet të përmirësohet.

Parashikim i nxehtë

“Ne parashikojmë temperatura mbi normalen në tre muajt e ardhshëm”, tha meteorologu nga Qendra për Parashikimin e Motit në SHBA, Matt Rosencrans.

I vetmi lehtësim që ai parashikon, veçmas në Atlantik dhe në Gjirin e Meksikës, është nëse në këto zona kalon ndonjë uragan apo stuhi tropikale.

Piku i sezonit të uraganeve ende nuk ka nisur.

Pas analizimit të motit ekstrem që u shënua gjatë kësaj vere, shkencëtari për klimën nga Universiteti i Pensilvanisë, Michael Mann, parashtroi një pyetje: “Si ka mundësi që ende përdorim lëndë djegëse fosile pas gjithë kësaj që kemi parë?”./REL

/GazetaSinjali/