Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz sot ka mbajtur takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti si dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve, Scholz ka mbajtur edhe konferenca për shtyp ku iu është përgjgjur gazetarëve rreth takimit.
Scholz është pyetur gjatë konferencës për media me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq rreth shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje të mundshme ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Scholz nuk është përgjigjur herën e parë, por kur një gazetar gjerman ia ka përsëritur pyetjen ka thënë: “Kjo nuk është në agjendë fare. Këtë nuk jemi duke e diskutuar”.
Pas takimeve të Scholzit me Kurtin e Vuçiq, po raportohet se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është në një darkë joformale me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb në periferi të Berlinit.