image Shkeli urdhrin mbrojtës, ky është burri që kërcënoi ish-gruan se rasti i tyre do të përfundojë me vrasje

Siguri

Shkeli urdhrin mbrojtës, ky është burri që kërcënoi ish-gruan se rasti i tyre do të përfundojë me vrasje

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një rast të frikshëm që ka ndodhur në një familje në Skenderaj, ku një burrë e ka paralajmëruar ish-bashkëshorten e tij, me të cilën është në prag të divorcit, se rasti mes tyre do të përfundojë me vrasje, nëse nuk i rregullojnë raportet. E keqja që iu është kanosur gruas e ka shqetësuar në masë të madhe, pasi ish-burri i saj e shqetëson vazhdimisht, edhe pse ka urdhër mbrojtës.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me disa se personi që po dyshohet për këtë rast është Arber Gashi, i cili u denoncua nga ish-gruaja në Polici, pasi nuk po e respekton urdhrin mbrojtës të Gjykatës, për të mos iu afruar viktimës.

Ai dyshohet se e përcjellë atë në vazhdimësi në qytet, ku në një rast ka tentuar edhe ta godas me veturë. Për të mos mbaruar me kaq, Sinjali mëson se i dyshuari e ka kërcënuar viktimën përmes rrjeteve sociale, derisa para dy ditësh ia ka dërguar një person te shtëpia, gjoja se për t’i rregulluar raportin mes tyre. Ajo çka e bën të frikshëm këtë rast është se i dyshuari ka paralajmëruar se dikush do ta pësojë, e madje edhe me vrasje, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë.

Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku ka kërkuar mbrojtje pasi ka frikë se mund të ndodhë diçka e keqe.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili para hetuesve policorë ka dhënë një deklaratë për rastin dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.

Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/