image E frikshme: Burri nga Skenderaj shkel urdhrin mbrojtës, e kërcënon ish-gruan se rasti do të përfundojë me vrasje

Siguri

E frikshme: Burri nga Skenderaj shkel urdhrin mbrojtës, e kërcënon ish-gruan se rasti do të përfundojë me vrasje

news image

Foto ilustruese


Urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj personave të cilët kanë kryer dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë vepra përsëritet e madje përfundon edhe tragjikisht, siç ndodhi me rastin e gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Një rast i frikshëm, ku është paralajmëruar edhe vrasja ka ndodhur së fundmi në një familje në Skenderaj, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici, i cili nuk po e respekton urdhrin mbrojtës të Gjykatës, për të mos iu afruar viktimës, ashtu që e përcjellë në vazhdimësi në qytet, ku në një rast ka tentuar edhe ta godas me veturë.

Për të mos mbaruar me kaq, Sinjali mëson se i dyshuari A.G., e ka kërcënuar viktimën përmes rrjeteve sociale, derisa para dy ditësh ia ka dërguar një person te shtëpia, gjoja se për t’i rregulluar raportin mes tyre. Ajo çka e bën të frikshëm këtë rast është se i dyshuari ka paralajmëruar se dikush do ta pësojë, e madje edhe me vrasje, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë.

Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku ka kërkuar mbrojtje pasi ka frikë se mund të ndodhë diçka e keqe.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili para hetuesve policorë ka dhënë një deklaratë për rastin dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.

Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.

/GazetaSinjali/