image Shkatërrimi i tre laboratorëve të drogës në Veri, Sveçla: Po orkestrohen nga Vuçiqi dhe Petkoviçi

Siguri

Shkatërrimi i tre laboratorëve të drogës në Veri, Sveçla: Po orkestrohen nga Vuçiqi dhe Petkoviçi

news image

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se tre laboratorë të drogës janë shkatërruar gjatë ditës së dielë në Veri të Kosovës.

Sipas tij, në laboratorin e tretë, vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro.

“Shkatërrohet dhe laboratori i tretë i drogës. Vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro. Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuceviq dhe Petkovic.” – ka shkruar Sveçla.

Ai ndër të tjerash ka bërë të ditur se barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës, kanë mbrojtur drogën dhe jo qytetarët, kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës.

“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve. Asnjë qytetari në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët. Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët se sa që e kanë paramenduar.” – ka përfunduar Sveçla.

/GazetaSinjali/