Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që ta shkarkojë nga detyra ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.
Një vendim të tillë, KPK e ka marrë sot përmes platformës online, me ç’rast kjo pikë e rendit të ditës ishte diskutuar prapa dyerve të mbyllura, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkarkimi i ish-Drejtorit Krasniqi u bë i ditur përmes komunikatës për media të publikuara nga KPK, ku rezulton se Këshilli kishte aprovuar propozimin e Komisionit Disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës ndaj Krasniqit.
“Si pikë e rendit të ditë ishte edhe trajtimi i Raportit të Komisionit Disiplinor për rastin e Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së (i suspenduar), me ç’rast Komisioni i ka propozuar Këshillit që ndaj të njëjtit të shqiptohet masa disiplinore: Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës, gjë për të cilën anëtarët e KPK-së, kanë miratuar propozimin e Komisionit Disiplinor”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Ndryshe, më 13 gusht 2021 Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj drejtorit të suspenduar të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.
Gjithashtu, aktakuza është ngritur edhe ndaj zyrtarëve tjerë të dyshuar në këtë rast, Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe një personi tjetër F.D.
Ata po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve, mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituar me kryerjen e veprës penale.