image Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi

Kosovë

Vendim/ Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi

news image

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot me mori vendim që t’ia ndërpresë kontratën Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Bedri Istrefi, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo u bë e ditur nga Bordi i Përkohshëm i Telekomit përmes një komunikatë për media.

Përveç shkarkimit të Istrefit, në mbledhjen e sotme të këtij bordi u morën edhe këto vendime:

– Ndërprerjen e Kontratës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

– Ndërprerjen e Kontratave të dy Zëvendës Kryeshefave Ekzekutiv.

– Emërimin e Ushtrueses së Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv.

– Emërimin e Ushtruesit të Detyrës së Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

– Të shpallet konkursi për rekrutimin në pozitët e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

“Sa i përket dy pozitave të Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, mbetet që bordi të shqyrtojë edhe njëherë nevojën dhe efektshmërinë e këtyre pozitave në javët në vazhdim”, thuhet në Komunikatë.

Njëherit, bëhet e ditur se bordi vendosi që t’u bëhet ftesë Shoqërisë Civile dhe Ambasadës Angleze që të marrin pjesë në procesin e rekrutimit në këto pozita për të siguruar një profesionalizëm dhe transparencë të plotë të këtij procesi.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve siguron opinion dhe çdo punonjës të Telekomit të Kosovës se do të marrë çdo vendim sipas kompetencave që ka për t‘u siguruar një organizim i mirëfilltë i Telekomit, ku secili punonjës të jetë në nivel të detyrës dhe përgjegjësive që i ngarkohen”, thuhet në komunikatën e Bordit të Përkohshëm të Drejtorit të Telekomit të Kosovës.

Këto vendime, sipas tyre, erdhën pas diskutimit të rendit të ditës lidhur me shqyrtimin e pozitave të Zyrtarëve të Lartë të Telekomit të cilat kanë ndikim direkt në performancë dhe duke pasur parasysh gjendjen e rëndë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike, me qëllim të ndaljes së përkeqësimit të gjendjes financiare dhe tejkalimit sa më të shpejtë të kësaj gjendjeje./Gazeta Sinjali/