image Pritet të shkarkohen të gjithë ushtruesit e detyrës në Doganën e Kosovës

Kosovë

Punësime/ Pritet të shkarkohen të gjithë ushtruesit e detyrës në Doganën e Kosovës

news image

Të gjithë ushtruesit e detyrës në Doganën e Kosovës pritet që shumë shpejtë të shkarkohen nga postet që po mbajnë. Sinjalizuesit nga Dogana e Kosovës, kanë bërë të ditur se kjo po bëhet me qëllim që në këto pozita më pas të rehatohen njerëz të caktuar, raporton Gazeta Sinjali.

Ndonëse nuk ka një datë të saktë se kur do të shkarkohen ushtruesit e detyrës që po mbajnë këto poste, në janar të këtij viti priten që të hapen konkurset për postet që do të mbesin të lira.

Sinjalizuesit brenda Doganës së Kosovës gishtin e drejtojnë tek drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Bahri Berisha, që sipas pretendimeve të tyre, po dëshiron t’i “rehatoj” njerëzit e afërt të tij.

Sipas sinjalizuesit një gjë e tillë nuk është aspak e re, për shkak se Dogana e Kosovës edhe në të kaluarën kishte bërë punësime të tilla ‘problematike’.

Në anën tjetër, konkurs pritet të hapet edhe për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, në kohën kur nuk është formuar ende qeveria e re. Përkundër se një konkurs i tillë do të duhet të hapej në tetor të këtij vitit, konkursi për drejtor të këtij institucioni, sipas sinjalizuesit pritet të hapet brenda tre muajve të ardhshëm.

Shefqet Berisha në nëntor të këtij viti ka fituar betejën me Doganën e Kosovës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, se atij i është bërë padrejtësi në konkursin e brendshëm të këtij institucioni.

Gjykata Themelore e Prishtinës në nëntor të këtij viti kishte marrë vendim në favor të Shfeqet Berishës, i cili ishte ankuar për konkursin e brendshëm të këtij institucioni. Në vendim thuhet se Dogana e Kosovës duhet të rishpallë konkursin e 8 qershorit të vitit 2018.

“Aprovohet në tërësi e bazuar vendimi nr.43/2018 i të Paditurës së parë Ministria e Financave me nr. të protokollit 01/1706-2 i datës 17.06.2018 dhe anulohet Konkursi i Brendshëm nr.05.6.1/1068 i shpallur më datë 08.06.2018 nga Dogana e Kosovës”.

“Detyrohet: Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës ta rishpallë konkursin e brendshëm duke i eliminuar të metat e konstatuara gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit të brendshëm nr 05.6.1/1068 i datës 08.06.2018, të gjitha këto në afat prej 7 ditës, nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykim”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës

Përveç Berishës edhe dy kandidatë të tjerë janë ankuar në konkurset e Doganës së Kosovës. Blerim Krasniqi dhe Valdete Krasniqi kanë dërguar lëndët e tyre në Gjykatën Themelore të Prishtinës me arsyetimin se u është bërë padrejtësi në konkurset e këtij institucioni./Gazeta Sinjali/