Ballkani do të zhvillojë ndeshjen e radhës në grupe të Ligës së Konferencës, ku do ta pret në Prishtinë klubin çek Slavian e Pragës.
“Portokallinjtë” momentalisht gjenden të fundit në grup me 4 pikë, por sërish kanë fatin në duart e tyre për kualifikim tutje, nëse arrijnë t’i fitojnë dy ndeshjet e mbetura të grupit.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Çeki, Ballkani për pak sa nuk befasoi klubin çek, ku kishte qenë dy herë në avantazh, megjithatë në fund kishte humbur me rezultat 3-2.
Ballkani do të kërkojë tani fitoren në shtëpi, në prani të shumë shikuesve.
Siç ka mësuar Sinjali Sport, tashmë më shumë se gjysma e biletave janë shitur për këtë sfidë, që nënkupton se mund të kemi një “Fadil Vokrri” të mbushur për të entjen e ardhshme.
Kujtojmë që biletat ishin hedhur me çmimet 2€ në Jug dhe Veri, 5€ në Lindje, 10€ në Perëndim si dhe 40€ në tribunën VIP.
Ballkani shpreson që në ndihmën e tifozëve, t’i rrëmbejë tre pikët, kësisoj do t’i linte gjasat hapur për kualifikim deri në xhiron e fundit në grupe, kur do ta vizitojë klubin rumun Cluj, ndaj të cilit Ballkani kishte hapur kampanjën e tyre në grupe të Konferencës, ku ishte mbyllur 1-1 në “Fadil Vokrri”, me një gol në çastet e fundit nga mysafirë.