Në regjionin Berner Oberland në mbrëmjen e të premtes ka mbretëruar një mot i ligë me stuhi të forta, me rrufe dhe breshër. Qyteti Interlaken ka vendosur një rekord të ri shiu. Sipas MeteoSwiss, sasia e shiut atje ka qenë 42,1 milimetra brenda 30 minutash, shkruan sda.ch.
Shi i madh ka rënë edhe në Frutigen. Brenda 10 minutash atje janë regjistruar 15,7 milimetra shi, transmeton albinfo.ch Në Wädenswil në Liqenin e Cyrihut, ka rënë 57.6 milimetra shi brenda një ore – gjithashtu një rekord i ri, ka shkruar SRF Meteo të premten në mbrëmje, përcjell Gazeta Sinjali.
Rreth 25,000 rrufe
Shtrëngatat janë shoqëruar me breshër të fortë. Në të njëjtën kohë, temperatura ka rënë nga 27 në 17 gradë. Në përgjithësi, MeteoNews ka numëruar 25,000 rrufe në të gjithë Zvicrën deri në orën 23:00, të premten. Në kantonin e Bernës kishte 4500 sosh ndërsa në atë të Cyrihut, rreth 3500 rrufe.
Para mesnatës, sipas radarit të motit MeteoSwiss, stuhitë ende ishin aktive në kantonin e Cyrihut. Gjatë natës situata u qetësua.
Zjarr në një shtëpi në Wädenswil
Një ndërtesë banimi në Wädenswil ka marrë flakë të premten në mbrëmje, mendohet për shkak të një goditje rrufeje. Janë regjistruar dëme materiale prej mbi 100,000 frangash. Nuk pati të lënduar, përcjell albinfo.ch. Brigada e zjarrfikësve ka shkuar atje rreth orës 10.30 të mëngjesit dhe ka vendosur shpejt flakët nën kontroll.
Rreth dhjetë banorë që u prekën nga zjarri i shtëpisë duhej të evakuoheshin. Apartamenti në papafingo nuk është më i banueshëm./Gazeta Sinjali/