image Shfuqizohet vendimi i Haxhiut për shkarkimin e drejtorit të burgut, rekomandohet kthimi i tij

Drejtësi

Shfuqizohet vendimi i Haxhiut për shkarkimin e drejtorit të burgut, rekomandohet kthimi i tij

news image

Nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil është shfuqizuar një vendim tjetër i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që lidhej me shkarkimin e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë, Arif Beqa.

Madje, ky këshill ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë të rikthejë Beqën në pozitën e drejtorit.

Në vendimin e tyre thuhet se është aprovuar ankesa e parashtruar nga ankuesi dhe është shfuqizuar vendimi që është marrë më 22 dhjetor të vitit të kaluar nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa bazuar në arsyetimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil, shkarkimi i Beqës është në kundërshtim me ligjin.

“Prandaj, Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave pasi ka peshuar me kujdes këto prova një nga një dhe së bashku në tërësi, ka konstatuar se Vendimi me nr.164/2021 i datës 22.12.2021 i Ministres së Ministrisë së Drejtësisë është në kundërshtim me dispozitat e lartshënuara ligjore dhe si i tillë duhet të shfuqizohet me qëllim të kthimit të ligjshmërisë”, thuhet në vendim.

Arif Beqa ishte shkarkuar nga pozita mbi dyshimet për fshehjen e një rasti të ngacmimit seksual i cili dyshohet se kishte ndodhur në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

/GazetaSinjali/