image Shërbimi Korrektues mbështet marrëveshjen me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve

Drejtësi

Shërbimi Korrektues mbështet marrëveshjen me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve

news image

Shërbimi Korrektues i Kosovës po përkrah marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Megjithatë, kjo marrëveshje është kundërshtuar nga organizatat që monitorojnë qendrat e paraburgimit dhe nga Avokati i Popullit. Arsyetimi i këtyre të fundit është që Shërbimi Korrektues në Kosovë nuk ka kapacitete të mjaftueshme dhe transferimi i 300 të burgosurve do të sjell probleme të shumta.

Ismail Dibrani, zyrtar i lartë në Shërbimin Korrektues të Kosovës thotë se ky institucion do të jetë përfitues i marrëveshjes me shtetin danez.

“Buxheti total korrektues për një vit është afër 18 milionë euro, prej kësaj marrëveshje shteti i Kosovës do të përfitojë diku afër 21 milionë euro, se diku afër 15 milionë euro do të shfrytëzohen për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe gjashtë milionë euro për energji të ripërtritshme. Do të thotë kemi për një kategorie që ne i pranojmë afër 300 të dënuar e kemi buxhetin me të madh sesa krejt buxheti që është për Shërbimin Korrektues të Kosovës që janë 1700 të burgosur dhe 1700 staf të angazhuar”, thotë ai.

Sipas tij, stafi korrektues do të jetë nga Kosova, ndërsa stafi menaxhues nga Danimarka.

Megjithatë, Avokati i Popullit deklaron se mbajtja e të burgosurve të vendeve të treta do të shkaktojë shumë probleme.

“Në parim unë dua të qëndroj mbi atë se Avokati i Popullit për vite me radhë ka adresuar si shqetësim tek autoritetet kapacitetet e burgjeve, mungesa e hapësira dhe mbipopullimin si njëra prej shqetësimeve shumë serioze me të cilën ballafaqohen të burgosurit që vuajnë dënimin ose janë të paraburgosur në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe padyshim në këtë situatë kur gjendja filloi të përmirësohet dhe raportet kohëve të fundit ishin më të balancuara dhe tregonin për një standard në ngritje, kjo mund të shkaktojë shumë problem, por përveç kësaj për vetë faktin se po lejohet që brenda shtetit të mbahen të burgosur të vendeve të treta padyshim që paraqet një shqetësim dhe ne me kohë do të dalim me qëndrim zyrtar lidhur me këtë temë”, deklaron Naim Çelaj.

Për marrëveshjen e nënshkruar ditë më parë mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Danimarkës, ka reaguar edhe Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila e ka kundërshtuar këtë marrëveshje. Në reagimin e kësaj qendre thuhet se vendosja e 300 të burgosurve nga Danimarka dhe ri-sistemimi i 200 të burgosurve aktual do të rezulton me mbipopullimin dhe përkeqësimin e kushteve në qendrat tjera korrektuese.

“Sipas Ministrisë së Drejtësisë, brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të akomoduar përafërsisht 700-800 të burgosur dhe të paraburgosur, gjë që bie ndesh me gjetjet tona të faktuara pas vizitave monitoruese. Hapësira të cilës i referohet Ministria e Drejtësisë do të ishte e disponueshme vetëm nëse të gjitha kapacitetet e qendrave të paraburgimit (pavijonet, blloqet, krahët) të ishin funksionale”, thuhet në këtë reagim.

Edhe Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kundërshtuar këtë marrëveshje, duke thënë se e njëjta legalizon diskriminim e të dënuarve në Kosovë, raporton KP.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitet prej 2500 vende, ndërkaq numri i të dënuarve dhe të paraburgosurve është mbi 1600./GazetaSinjali/