Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunë e Junikut, Ruzhdi Shehu, ka komentuar deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosjes rreth koalicionit për Junikun, ku nga kjo e fundit kanë deklaruar se ende s’ka marrëveshje, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se marrëveshja mes dy partive është nënshkruar sot dhe se nuk ka asnjë dilemë mes tyre.
“Dega e LDK-së në Junik dhe e VV-së sot kanë realizuar marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre në kuadër të zgjedhje komunale që do mbahen me 14 nëntor.”
“Kjo marrëveshje është nënshkruar dhe nuk kemi asnjë dilemë më VV-në. Unë sot nënshkrimin e marrëveshjes e kam bërë fakt publik”, ka thënë ai në Klan Kosova.
Tutje Shehu ka shtuar se koalicioni mes LDK-së dhe VV-së ishte kërkesë e kamotshme e qytetarëve të Junikut, kjo sipas tij sepse të dy partitë kanë bashkëpunuar edhe gjatë kohës sa ishin në opozitë.
Shehu i pyetur se a janë konsultuar me zyrën qendrore të partinë ka thënë se “këtë vendim e marrin pavarësisht nga qendra.”
Ndërkaq për Sinjalin, sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshja me LDK-në për Junikun, por se janë ende në fazën e diskutimeve.
“Ka diskutime, por jo marrëveshje”, tha shkurtimisht Manxhuka.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga kandidati i LVV-së për Junikun, Besart Tofaj, në një postim në Facebook.
“Në takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë për kryetar komune”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.