image Shefi i OKB-së viziton Putinin

Botë

Shefi i OKB-së viziton Putinin

news image

Dy muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin pritet të pranojë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në Moskë.

Takimi në Kremlin pritet të ketë në fokus rolin diplomatik të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe mundësitë për të dërguar ndihmë humanitare dhe korridore të sigurta për civilët, sidomos në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Shefi i OKB-së, 72-vjeçar, planifikon të bisedojë fillimisht me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov rreth mesditës.

Më pas Guterres do të takohet me Putinin në Kremlin.

Pas vizitës së tij në Rusi, shefi i OKB-së do të udhëtojë përmes Polonisë në Ukrainë, ku pritet të takojë presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Së fundi është rritur presioni ndaj Guterres për të pasur rol më aktiv në dhënien fund të konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës, shkruan REL.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

/GazetaSinjali/